Një muaj paraburgim për babain nga Prizreni që rrahu vajzën e mitur

Një muaj paraburgim për babain nga Prizreni që rrahu vajzën e mitur

Gjykata Themelore në Prizren, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Xh.Xh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzën së tij të mitur, si rrjedhojë e problemeve të tij psikike.

“Me datë 7 mars, i pandehuri Xh.Xh., në shtëpinë familjare, si rrjedhojë e problemeve psikike që e kanë afektuar e sulmon të dëmtuarën (vajzën e tij të mitur), duke e goditur disa herë me grushte në fytyrë, në shpin dhe krah e më pas edhe me anë të një mjeti – thupre e godet në pjesën e shpinës, e si pasojë e këtyre veprime të dëmtuarës – viktimës së ndjeshme i shkakton lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

“Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare, në vijim të kësaj procedure penale duhet të dëgjohen, i pandehuri, dëmtuara dhe dëshmitarët e mundshëm, gjithashtu për shkak të peshës së veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, e cila është kryer ndaj të dëmtuarës (vajzës së mitur), e në anën tjetër duke pasur parasysh karakteristikat e tij personale, sjelljen e tij, pra vendosmërinë e tij për të kryer këtë vepër penale ndaj personit të ndjeshëm”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës./Insajderi.com