Një muaj paraburgim për grabitësin e një pompe të derivateve

Një muaj paraburgim për grabitësin e një pompe të derivateve

Dyshohet se kishte grabitur një pompë të derivateve në Prizren. Për këtë është marrë vendim që personi me inicidale S.H të mbahet në paraburgim për një muaj.

Vendimin e mori Gjykata Themelore në Prizren, përcjell Insajderi.

“I pandehuri S.H., me datë 3 mars, në orët e hershme të mëngjesit në pompën e derivateve, i pandehuri me një person tjetër me kanosje e përvetësojnë në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër, në atë mënyrë që të pandehurit vendosin maskat anti–covid të veshur me xhaketa dhe kapuç ngjyrë të zezë, i afrohen viktimës, dhe i drejtohen me fjalët ‘mos lëviz vetëm na jep para’, viktima nga frika fillimisht i ngrit duart lart dhe jep para në vlerë prej 1.500 (një mijë e pesëqind) euro, dhe i pandehuri S.H., pasi i pranon të hollat së bashku me personin tjetër i cili është në arrati largohen në këmbë me shpejtësi”, thuhet në njoftim.

Kjo gjykatë ka arsyetuar më tej këtë vendim.

“Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, po ashtu faktin se i pandehuri është kapur nga ana e organeve policore tri ditë pas kryerjes së veprës penale, si dhe duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale si dhe intensitetin e vlerës së mbrojtur, sidomos duke e marrë për bazë deklarimin fillestar të pandehurit i cili e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre penale pasi që ka përdorur substanca narkotike. Andaj, duke marrë parasysh të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është më oportune dhe më e arsyeshme duke marr parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore”. /Insajderi.com