Një muaj paraburgim për tre policët që dyshohen të jenë përfshirë në rastin “Karaçeva”

Një muaj paraburgim për tre policët që dyshohen të jenë përfshirë në rastin “Karaçeva”

Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre zyrtarëve policorë që dyshohet se janë përfshirë në rastin e njohur në publik si rasti i Karaçevës, përcjell Insajderi.

“Të pandehurit N. S., N. K. dhe F. K. ekziston dyshimi i bazuar se në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë muajit Dhjetor 2019, në zonën e fshatrave të brezit kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprave penale, ashtu që personave të ndryshëm i’u kanë mundësuar kontrabandimin e mallrave, të cilët kanë kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “kontrabandimi me mallra” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin për medie të gjykatës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​/Insajderi.com