Një muaj paraburgim për vozitësin që goditi për vdekje biçiklistin

Një muaj paraburgim për vozitësin që goditi për vdekje biçiklistin

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj të pandehurit H.K i cili me automjetin e tij kishte goditur për vdekje një biçiklist, A.D.

Përmes një komunikate për media Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri ka qenë në gjendje të dehur kur kishte goditur biçiklistin.

“Me datë 16.10.2018, rreth orës 21:10 minuta, në Pejë, gjersa ishte duke qarkulluar me automjetin e tij nga drejtimi i Stacionit të trenit duke qenë nën ndikim të alkoolit ka shkelur nenin 233 par.6 lidhur me par.2 të Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Rrugor (Ligji nr.05/L-088), në atë mënyrë që, i pandehuri duke mos i kushtuar vëmendje dhe rëndësi biçiklistit i cili ishte para tij duke lëvizur me biçikletë në të njëjtin shirit dhe atë në anën e djathtë, me pjesën e parë të automjetit e godet biçiklistin A.D mbi gomën e pasme të biçikletës dhe si pasojë e goditjes e hedhë të dëmtuarin në asfalt me ç’rast nga pika e goditjes e deri te hedhja e biçiklistit distanca është 16.80 metra, nga goditja e pësuar tani i ndjeri vdes në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën për media.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji duke filluar nga data 16.10.2018  deri me datë 16.11.2018.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Insajderi.com