Një pjesë e mishit të prishur të BIK-ut, iu shpërnda banorëve të kryeqytetit

Një pjesë e mishit të prishur të BIK-ut, iu shpërnda banorëve të kryeqytetit

Një sasi e mishit prej 21 tonësh që mbahej në gjendje të tmerrshme në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës, iu është shpërndarë banorëve të lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë.

Se katër mijë kilogramë të mishit të prishur, për të cilin raportoi Insajderi të martën, iu është shpërndarë banorëve të lagjes Kodra e Trimave, e ka konfirmuar sot imami i xhamisë “Pavarësia”, Nehxhmi Hoxha.

Sipas tij, të martën, nga kjo depoja e Bashkësisë Islame të Kosovës janë dërguar katër mijë kilogramë mish në xhaminë “Pavarësia” në lagjen “Kodra e Trimave” të Prishtinës.

Në një prononcim për Kohavision, imami Nexhmi Hoxha deklaroi se me të vërejtur që mishi është i prishur, e kanë larguar dhe e kanë kthyer atë në depon e BIK-ut.

“Menjëherë sapo na kanë sjell mishin, e kemi parë ne që shumica e mishit ka qenë e prishur”, ka thënë Hoxha.

Pas raportimit të Gazetës Insajderi për mishin që mbahej në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka dal të mërkurën në terren.

Kjo agjenci ka konstatuar se mishi nuk guxon të përdoret për konsum pasi që nuk ka qenë i ngrirë me kohë, për çka edhe është prishur, shkruan Insajderi.

“Inspektorët Veterinarë të Agjencisë se ushqimit dhe Veterinarisë menjëherë kanë realizuar kontrollin e depos. Aty kanë hasu në një sasi prej 21 tonë mish lloji i gjedhit. Pas inspektimit të detajuar, inspektorët kanë vlerësuar se fillimisht mishi i deponuar aty nuk është ngrirë me kohë”, ka thënë AUV.

Sipas Lamir Thaçit, zëdhënësit të AUV-it, bazuar në këto të gjetura është vendosur asgjësimi i sasisë prej 21 tonësh.

“Bazuar në ligjet në fuqi dhe procedurave standarde të kontrollit, bazuar në të gjeturat e lartë cekura, inspektoret kanë vendosur qe të bëhet asgjësimi i gjithë sasisë prej 21 ton për shkak sepse nuk i plotëson kushtet për konsum”, tha Thaçi.

Insajderi ka tentuar të kontaktojë sot me zëdhënësin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, por kontakti me të ka qenë i pamundur. /Insajderi.com