prapa së cilës qëndronte një " />

Ftesat nga Specialja një vit pas përpjekjes për shfuqizimin e saj

Një vit më parë, 43 deputetë të Kosovës thirrën seancë të jashtëzakonshme për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Prapa kësaj iniciative fshihej një plan i thurur nga presidenti Hashim Thaçi për të shpëtuar veten nga akuzat e kësaj gjykate. Ai ka dashur që Kuvendi ta ndryshojë ligjin, por në fund ai të mos e nënshkruaj. Por gjatë afatit prej tetë ditësh kisht planifikuar të negociojë me ndërkombëtarët për të marrë garanci se nuk do të akuzohet në mënyrë që mos ta nënshkruaj Ligjin. Plani i tij dështoi. Një vit pas kësaj, pikërisht në muajin dhjetor, zyra e Prokurorit të Specializuar nisi të ftoj ish-komandantë dhe ushtarë të UÇK-së për intervistim

Ftesat nga Specialja një vit pas përpjekjes për shfuqizimin e saj

Një vit pas iniciativës së deputetëve, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, prapa së cilës qëndronte një plan i dështuar i Presidentit Hashim Thaçi, nisën të vinë ftesat e para për intervistin nga Zyra e Prokuororit të Specializuar.

Deri më tani zyrtarisht për intervistim Specialja ka ftuar 9 persona. Përfshirë komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rustem Mustafëns, Nazif Mehmeti, ish-epror ushtarak në këtë zonë, Sami Lushtaku, ish-komandant për rajonin e Drenicës, ish-komandanti i Përgjithshëm Sylejman Selimi, ish-kryetari i Gjyqit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, Safet Syla kryetar i Zyrës së Veteranëve të UÇK-së për komunën e Shtimes, Mahir Hasani komandant i UÇK-së, Remzi Shala dhe Sabahajdin Cena ish-pjestarë të UÇK-së.

Ende nuk dihet nëse ata janë të ftuar në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarëve.

Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ishte i pari që tha publikisht se kishte pranuar një ftesë për intervistim nga Prokurori i Speciales. Të gjithë të ftuarit kanë deklaruar se do i përgjigjen ftesës nga specialja.

I vetmi Remzi Shala, pas marrjes së thirrjes për intervistë, ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjet kësaj ftese. Pas kësaj Shala u arratis. Familja e tij deklaruan se nuk dinë se ku gjendet ai. Të njëjtën gjë deklaroi edhe avokati i tij, Natal Bullakaj.

Pas ftesave për ish-pjesëtarë të UÇK-së, edhe Ramush Haradinaj, porositi të ftuarit t`i përgjigjen drejtësisë dhe të mos i shmangen.

“Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë”, kishte deklaruar Haradinaj.

Gjykata Speciale pritet të hetojë krimet e pretenduara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që, siç thuhet, i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000.

Por cilat ishin përpjekjet e liderve për shfuqizimin e Speciales para një viti?

Natën e 22 dhjetorit të vitit 2017, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës pati ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Prapa kësaj qëndronte një plan i hartuar nga Presidneti Hashim Thaçi për ta shpëtuar veten nga aktakuza.

Ai ka dashur që Kuvendi ta ndryshojë ligjin, por në fund mos ta nënshkruaj atë. Gjatë afatit prej tetë ditësh që ka për nënshkrimin e Ligjit, ka planifikuar të negociojë me ndërkombëtarët dhe të marrë garanci se nuk do të akuzohet në mënyrë që mos ta nënshkruaj Ligjin.

Ky plan ka dështuar kur Limaj ka kërkuar që hyrja në fuqi e Ligjit të ndodh në momentin e miratimit në Kuvend e jo në momentin e nënshkrimit nga presidenti. Kjo pikë ka shkatërruar gjithë planin e Thaçit.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli fillimisht ua kishin lënë ‘në dorë’ deputetëve që të vendosnin për shfuqizimin ose jo të Gjykatës Speciale, por jo për shumë orë.

Reagimet më të ashpra erdhën nga Ambasadorët e Qunintit. Ata shkuan menjëherë në Kuvend për ta parandaluar propozimin për shfuqizimin e Gjykatës, të cilin e konsideruan fatal për shtetin e Kosovës.

Ambasadori i ShBA-së dhe Britanisë këtë iniciativë e cilësuan si “nata më e rrezikshme për Kosovën” dhe “thikë pas shpine për ndërkombëtarët”.

“Ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, kishte ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Ndërkaq ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruari O’Connell, kishte theksuar se ajo natë mund të ishte “nata me e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta”.

Liderët e dorëzuar karshi idesë për shfuqizimin e Speciales

I pari që ndoshta e kuptoi fuqinë reale të Gjykatës së Posaçme, ishte kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në një kolumne në fillim të janarit, Veseli e kishte pranuar se Gjykata Speciale do të ndodhte, edhe pse konsideronte se Kosova e ka merituar më së paku në botë. Ndërkaq javën e dytë të janarit, Veseli ishte takuar me ambasadorin Delawie, ku kishte theksuar se Kosova do t’u qëndrojë pas obligimeve për Gjykatën Specialen.

“Kosova do t’u qëndrojë obligimeve te veta ndërkombëtare deri në fund, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, do të ndjekë agjendën e integrimeve euroatlantike, dhe në këtë rrugëtim partneriteti me SHBA-të do të mbetet primar”, ishte shprehur Veseli.

Në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj u distancuan krejtësisht nga nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Si presidenti, ashtu edhe kryeministri dukej se ishin ndërgjegjësuar përfundimisht pas paralajmërimeve të ashpëra të ndërkombëtarëve, duke lënë të kuptohet nga deklaratat e tyre se Tribunali Special do të vijonte të mbetej në fuqi.

“Sot kam dhënë qëndrimin e shtetit të Kosovës në atë se shteti i Kosovës qëndron pas vendimit të gushtit të vitit 2015; se gjykata nuk do të shfuqizohet dhe Kosova këtë rrethanë duhet ta shndërrojë në avantazh dhe jo në një situatë preokupuese me tendenca destabilizimi”, kishte deklaruar i dorëzuar presidenti Hashim Thaçi.

Ndërkaq kryeministri Haradinaj kishte premtuar se Kosova do t’i përmbushte të gjitha obligimet ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjykatën Speciale.

“Nuk ka dyshim që Kosova do t’i kryejë edhe këto obligime ndërkombëtare.Është një shqetësim që lidhet me Gjykatën Speciale dhe një numër të njerëzve këtu e konsiderojnë si të padrejtë ngaqë ka qasje selektive dhe etnike ndaj krimeve. Por Gjykata ekziston, është krijuar me votë në Parlament, janë votuar ndryshimet kushtetuese”, kishte deklaruar Haradinaj, tashmë i bindur për fuqinë e Gjykatës Speciale.

Ndërrimi i kryeprokurorit të Prokurorisë së Specializuar

Kryeprokurori i parë i Speciales,  David Schvendimanin, e la këtë detyrë me 31 mars, pasi i skadoi emërimi i tij si zyrtar i shërbimit të Jashtëm amerikan. Schwendiman megjithatë ishte shprehur i bindur se largimi i tij, nuk do ta pengonte punën e gjykatës.

“Njerëzit në rajon, ata të cilët duhet të brengosen se do të mbahen përgjegjës, nuk kanë pse të gëzohen. Vlerësimi im i sinqertë është se ky vendim nuk do të na ngadalësojë. Kur të vijë koha, do të bëjmë atë që duhet të bëjmë”, kishte thënë thënë Schwendiman për gazetën The Guardian.

Kryeprokurori i ri i Speciales, prokurori amerikan, Jack Smith, u emërua në muajin maj. Smith erdhi në këtë pozitë pas një procesi përzgjedhjes të organizuar nga Bashkimi Evropian.

“Është nder dhe kënaqësi që më ofrohet kjo sfidë dhe jam i gatshëm t’i çoj hetimet më tej”, ishte shprehur Smith pas emërimit.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova kishte thënë se Jack Smith e ka përvojën e duhur në fushën e hetimeve penale në nivel ndërkombëtar.

“Kam besim që përvoja e tij e gjatë në fushën e hetimeve dhe ndjekjeve penale, si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, do të shërbejë për përmbushjen e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, kishte thënë Trendafilova.

Skeptikë dhe të frikësuar

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj kishte thënë se qysh në janar do të përfundonte çështja rreth shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën, duke besuar se shfuqizimi i saj do të ndodhte.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse nuk votohet shfuqizimi i Gjykatës Speciale, ai kishte thënë i bindur “Do të votohet. Do të votohet”.

Mirëpo, kur e kuptoi se shfuqizimi i Speciales nuk mund të bëhet pa bekimin e ambasadorit amerikan, Nasim Haradinaj e kishte quajtur Greg Delawien ‘palaço’.

“Delawie më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka. Delawie nëse ka prova për komandantët që kanë bërë krime le të urdhëron si dëshmitar. Nuk është Dealawie i plotfuqishëm që të flas çfarë të do ai”, kishte thënë Haradinaj.

Ndërkaq në tetor, gjatë një interviste, përfaqësuesi i veteranëve, ishte shprehur i bindur për, siç thoshte, dështimin e kësaj gjykate, duke shpresuar se “bota do ta kuptojë gabimin që ka bërë”.

“Gjykata është e dështuar që nga fillimi. Ata kanë me i harxhu paret që i janë nda. Do t’i paguajnë qiratë e burxheve që i kanë marrë por do të mbesin thatë” , kishte thënë Haradinaj.

“Bota do ta sheh gabimin e saj. Nuk besoj që do të lejohet një gjykim fashist”, kishte theksuar Haradinaj më vonë, në të njëjtët intervistë.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në maj të vitit 2017 ishte shprehur skeptik për Gjykatën Speciale.

“Unë jam skeptik për Gjykatën Speciale, edhe ata që e kanë menduar po e kanë problem që ta dizajnojnë. Së shpejti bëhen dy vjet prej se ka filluar kjo çështje dhe mbase do të bëhen edhe shumë të tjera para se të fillojë puna e saj”, kishte deklaruar Kurti atëherë.

Por në shkurt të këtij viti, po Kurti, pa skepticizëm, dukej i frikësuar se vendimet e kësaj gjykate do ta ndryshonin historinë e Kosovës.

“Gjykata Speciale konsiston në një histori të re të politike të Kosovës. Vendimet e saj do na ndryshojnë edhe historinë. UÇK-ja dhe ushtria e saj janë në rrezik nga Gjykata Speciale” kishte thënë Kurti.

Fundi i pritjes

Në fund të tetorit, kryeprokurori i Specializuar, Jack Smith kishte ardhur për një vizitë në Kosovë, ndërsa u takua me zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë.

Ai u takua me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin si dhe me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizin dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufajn.

Smith nuk kishte bërë ndonjë koment dhe takimet më përfaqësues vendas e ndërkombëtarë u mbajtën larg syve të mediave.

Por Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate thoshte se Smith ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrimet ndaj Dhomave të Specializuara. /Insajderi.com