Një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

Një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

Ka kaluar një vit që nga momenti kur Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka nënshkruar në Berlin një marrëveshje me aviokompaninë gjermane ‘Lufthansa’, për të hapur linjën ajorore Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas, njofton Insajderi.

Ky nënshkrim u bë në praninë e ish-ambasadorit Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë ‘Lufthansa’ i dorëzuan Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, letrën me të cilën i njoftuan autoritetet e Kosovës për këtë synim duke kërkuar poashtu që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet e tjera.

Sot kur edhe u bë një vit nga ky nënshkrim, Eset Berisha, i cili edhe nënshkroi asokohe këtë marrëveshje deklaroi se Kosova kishte dy përfitime politiko-ekonomike nga kjo ngjarje:

1)Fakti se parashihej të nënshkruhej edhe nga NATO/KFOR-i, ishte një njohje ‘De Facto’ për herë të parë pas luftës, e autoriteteve kosovare të aviacionit të aeroportit Adem Jashari, hapësirës ajrore kosovare të cilat nuk ishin njohur jo vetëm nga Beogradit, por edhe nga BE-ja dhe as nga NATO.

2)Lirohej koridori ajrore me Malin e Zi për fluturimet nga Kosova, hapësira ajrore e Malit të Zi për fluturime tranzire kontrollohet nga Beogradi.

Sipas  Berishës qëllimin e kishin në Podgoricë dhe jo në Beograd, sepse qytetarët e Kosovës nuk do të udhëtonin në aeroporte evropiane përmes Beogradit, transmeton lajmi.net.

“Delegacioni kosovar në atë kohë pothuajse e arriti zhbllokimin e plotë të hapësirë ajrore duke menduar se ky ishte qëllimi final edhe i ekzistencës së institucioneve të paguara me taksa të qytetarëve. Por doli se nuk menduan të gjithë kështu”, tha ai me anë të një postimi në Facebook.

Ai shtoi se dhe krejt në fund, përkundër dëshirës dhe insistimit nuk patën fatin të nënshkruajnë marrëveshje me flamur e simbole të Republikës së Kosovës.

“Atë po ua lëmë “trimave” qё nuk e dinё, e as nuk duan të dijnë se si funksionon aviacioni nё njё shtet jo anёtar tё ICAO-s dhe me forca ndёrkombёtare brenda vendit pa marrëveshje SOFA”. /Insajderi.com