Njerëzit me grupin e gjakut 0 mund të jenë më pak të rrezikuar nga Covid, thonë studimet e reja

Njerëzit me grupin e gjakut 0 mund të jenë më pak të rrezikuar nga Covid, thonë studimet e reja

Njerëzit me grupin e gjakut O mund të jenë më pak të rrezikuar nga Covid-19 dhe kanë mundësi më të vogla të sëmuren, sipas dy studimeve të botuara të mërkurën. Mirëpo ekspertët thonë se nevojiten më shumë hulumtime.

Studimi ofron prova të mëtejshme se grupi i gjakut, mund të luajë rol në ndjeshmërinë e një personi ndaj infeksionit dhe shansin e tij për të përjetuar më rëndë sëmundjen. Arsyet për këtë lidhje nuk janë të qarta dhe duhet bërë më shumë kërkime për të thënë se çfarë implikimesh ka, nëse ka, për pacientët.

Një studim danez zbuloi se midis 7,422 njerëzve që dolën pozitivë për Covid-19, vetëm 38.4% ishin të grupit të gjakut O, edhe pse në një grup prej 2.2 milion njerëz që nuk ishin testuar, ai grup gjaku përbënte 41.7% të popullsisë .

Në të kundërt, 44.4% e grupit A rezultuan pozitivë, ndërsa në popullatën më të gjerë daneze ky grupi i gjakut përbën 42.4%.

Në studimin tjetër, hulumtuesit në Kanada zbuluan se midis 95 pacientëve të sëmurë rëndë me Covid-19, një pjesë me grupin e gjakut A ose AB – 84% – kërkonte ventilim mekanik krahasuar me pacientët me grupin e gjakut O ose B, i cili ishte 61%

Studimi kanadez gjithashtu zbuloi se ata me grupin e gjakut A ose AB kishin një qëndrim më të gjatë në kujdesin intensiv, me një mesatare prej 13.5 ditësh, krahasuar me ata me grupin e gjakut O ose B, të cilët kishin një mesatare prej nëntë ditësh.

“Si mjek klinik, një pjesë e mendjes sime gjithmonë tenton të bëj përllogaritje, kur shikoj pacientët. Por për sa i përket një shënuesi përfundimtar ne kemi nevojë për gjetje të përsëritura në shumë juridiksione që tregojnë të njëjtën gjë”, tha Dr. Mypinder Sekhon , një mjek i kujdesit intensiv në Spitalin e Përgjithshëm të Vancouver dhe një autor i studimit kanadez.

“Unë nuk mendoj se kjo zëvendëson faktorët e tjerë të rrezikut të ashpërsisë si mosha dhe sëmundjet tjera, e kështu me radhë,” shtoi Sekhon, i cili është gjithashtu një profesor klinik në Divizionin e Kujdesit Kritik të Mjekësisë dhe Departamentin e Mjekësisë në Universitety of British Columbia.

“Nëse i takoni grupit A, nuk keni nevojë të filloni panik. Dhe nëse jeni grupi i gjakut O, nuk jeni të lirë të shkoni në pube dhe bare”./Insajderi.com

Burimi: CNN