Njëri nga 11 të arrestuarit në rastin “Subvencioni 2021” përfitoi kundërligjshëm 100 mijë euro

Njëri nga 11 të arrestuarit në rastin “Subvencioni 2021” përfitoi kundërligjshëm 100 mijë euro

100 mijë euro është vlera më e lartë e subvencioneve të fituara kundërligjshëm në rastin “Subvencioni 2021”.

I dyshuari për përfitimin e kundërligjshëm të këtyre mjeteve është D.A., i cili ka dhënë ryshfet për zyrtarët e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë në mënyrë që të futet në listën e përfituesve për subvencione në mënyrë të kundërligjshme.

Gazeta Online Insajderi ka siguruar kërkesën për Caktimin e Paraburgimit të të pandehurve.

Në dokument thuhet se i njëjti po ashtu dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke larguar nga lista e zezë persona (femër) pa ndonjë vendim me shkrim.

“I pandehuri D.A., dyshohet se ju ka ofruar ryshfet zyrtarëve të tjerë të AZHB-së në mnëyrë që të njëjtit të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, konkretisht që ta fusin në listën e përfituesve për subvencione në mënyrë të kundërligjshme, gjë e cila ka ndodhur dhe i njëjti ka përfituar shumën e parave prej 100 mijë euro”.

Në mesin e të 11 të arrestuarve është edhe i pandehuri S.S., i cili dyshohet se i ka ndihmuar vëllait të tij L.S., në fshehjen e provave, “konkretisht të parave të cilat i ka përfituar përmes marrjes së ryshfetit pasi që L.S., vazhdimisht gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit dëgjohet duke thënë se ka në posedim shumën e parave në vlerë prej rreth 100 mijë euro”.

Të dy dyshohet se kanë bashkëpunuar për t’i fshehur provat nga Policia e Kosovës. Por, kjo e fundit gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit S.S., në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës, ka gjetur dhe sekuestruar para në vlerë prej 406 mijë euro, 600 dollarë, 200 franga zvicerane, 275 lira turke, një telefon dhe veturë “Toyota”.

“Këto para të gjetura fuqizojnë edhe më shumë për veprimet e kundërligjshme të të pandehurve sepse nuk kanë mundur të japin asnjë arsye për vlerën e parave të gjetura”, thuhet në dokument.

Të mërkurën për dyshimet për “Marrie ryshfeti” lidhur me subvencionet në bujqësi janë arrestuar 11 persona, ndërsa gjatë së enjtes janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë, por nën dyshimin për dhënie të ryshfetit për t’i marrë subvencionet nga Ministria e Bujqësisë.

Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, të Podujevës, të Gjilanit, të Istogut e të Lipjanit, me aktvendim të prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N. vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe është liruar në procedurë të rregullt. /Insajderi.com

No description available.

No description available.