Njeriu i finaleve

Njeriu i finaleve

Quajeni “The final one” nëse dëshironi. Juventus-i kundër Lazio-s kërkon trofeun e parë të sezonit, dhe për ta mbyllur me triumf  bardhezinjtë kanë një element më shumë, Dani Alves-in, njeriun e finaleve. Braziliani deri tani në karrierën e tij numëron plot 33 finale, duke luajtur në 29, 26 prej të cilave i ka fituar.

Vërtetë një bilanc shumë i mirë sidomos nëse krahasohet me atë të Juventus-it, i cili shpesh pikërisht në finale është rrëzuar, veçanërisht në Ligën e Kampioneve.

Ja pse bardhezinjtë urojnë që skena e Romës të shërbejë si një provë e përgjithshme përpara objektivit më madhor, Kardifit, pas katër finalesh të humbura. Juventus-i ëndërron trofeun e Champions-it të cilin Dani Alves e ka ngritur tre herë në qiell, por që në Torino mungon prej 21 vjetësh.

Veç të tjerash Dani Alves zbarkoi te Juventus edhe për këtë. Pas një fillimi të vështirë të sezonit, për shkak të ndonjë moskuptimi taktik dhe dëmtimit që pësoi ndaj Genoa-s, ish-mbrojtësi i Barcelona-s është element i palëvizhëm në 11-en e Allegri-t.

Përveç kampionateve të ndryshme, ai ka fituar deri tani 5 Kupa të Mbretit, 5 Superkupa të Spanjës, 2 Kupa UEFA, 3 Liga Kampionesh, 4 Superkupa Europiane dhe 3 Botëror për Klube të cilave ju shtohen edhe 1 Kupë e Amerikës dhe 2 Kupa të Konferderatës me Brazilin, plus Botërorin e U20 në 2003, shkruan telesport.

Një palmares që pak kush e ka në botën e futbollit.  Pra, në këtë pikë Juventus-i uron që të shtojë që këtë mbrëmje Kupën e parë të Italisë në karrierën e Dani Alves. Në pritje të Kardifit, sigurisht.