
Kushtrim Prenku që dy muaj më parë kishte dështuar të fitonte zgjedhjet në PDK, për tu bërë i pari i kësaj partie në Drenas, është emëruar si ushtrues detyre në pozitën e zyrtarit ligjor në Hekurudhat e Kosovës “Trainkos”.
Në këtë pozitë ai është emëruar pa asnjë konkurs për shkak të dorëheqës së ish-udhëheqësit të këtij dikasteri. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje Gelor Shala ka emëruar atë në këtë pozitë, shkruan Insajderi.
Zyra për media e ndërmarrjes publike, Hekurudhat e Kosovës “Trainkos” kanë konfirmuar për Insajderin se kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit është emëruar në këtë pozitë.
“Pozita e Udhëheqësit të Zyrës Ligjore të HK-Trainkos Sh.A ka mbetur vakante pas dorëheqjes së udhëheqësit të saj. Më qëllim të plotësimit të kësaj pozite dhe mbarëvajtjes së punëve, Kryeshefi Ekzekutiv, më 28.06.2019, nga mesi i zyrtarëve të ndërmarrjes ka emëruar si ushtrues detyre në këtë pozitë z. Kushtrim Prenku”.
Në përgjigjen e kësaj ndërmarrje thuhet se Prenku është personi i vetëm që i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë. Thuhet se ish-kandidati për të parin e PDK-së në Drenas është i punësuar në këtë ndërmarrjen që nga viti 2016 dhe i vetmi që ka përfunduar provimin e jurisprudencës.
“Në rastin e emërimeve të ushtruesve të detyrave, sidomos në rastet e vendeve vakante, në bazë të ligjit bëhen emërimet për një periudhë të caktuar të përkohshme, përkatësisht derisa të arrihet që të zhvillohen procedurat e konkursit (qoftë i brendshëm apo i jashtëm)”.
“Sa i përket plotësimit të kritereve, z. Prenku është që nga viti 2016 punonjës i HK-Trainkos Sh.A dhe i plotëson të gjitha kriteret e kualifikimit për të ushtruar detyrat e kësaj pozite. Është i vetmi në ndërmarrjen tonë që ka të përfunduar provimin e jurisprudencës”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrje.
Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit të PDK-së në Drenas, Prenku kishte dështuar t’i marrë votat për tu bërë i pari i PDK-së në Drenas. Sejdi Hoxha kishte fituar garën, pai kishte marrë 130 vota. I dyti kishte dal Naim Bazaj, ndërsa i treti kishte dal Kushtrim Prenku me vetëm 40 vota./Insjaderi.com