Njeriu që kishte vjedhur veturën e shtetit, këshilltar “sekret” i Hashim Thaçit

Njeriu që kishte vjedhur veturën e shtetit, këshilltar “sekret” i Hashim Thaçit

Merr pagë nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe deklarohet si këshilltar i tij, por ish-zëvendësministri i Infrastrukturës, Emin Krasniqi, nuk figuron askund në faqen e Presidencës së Kosovës si këshilltar i Thaçit.

Sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsion, Emin Krasniqi ka marrë rreth 18 mijë euro pagë nga Zyra e Presidentit të Kosovës për punën e kryer si këshilltar i presidentit Thaçi.

Në AKK, Emin Krasniqi figuron si këshilltar i Thaçit që nga qershori i vitit të kaluar, raporton Insajderi.

Mirëpo, në faqen zyrtare të Zyrës së Presidentit të Kosovës, ish-kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Kamenicë, nuk figuron në listën e gjatë të këshilltarëve politik të presidentit Hashim Thaçi.

Ndonëse nuk dihet se për çfarë konkretisht e këshillon presidentin e Kosovës, Emin Krasniqi njihet për keqpërdorime ndaj shtetit në të kaluarën.

Gjatë vitit 2014, ai kishte vjedhur veturën e shtetit për katër muaj dhe duke i harxhuar më shumë se 3 mijë e 700 euro karburante.

Sipas raportit të vitit 2014 nga Zyra e Auditorit Gjeneral, Krasniqi që shërbente asokohe si zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, e kishte përdorur jashtëligjshëm veturën zyrtare për katër muaj.

Ai e kishte mbajtur veturën e shtetit edhe pas përfundimit të mandatit të tij si zv/ministër.

“Vetura zyrtare 3Z-009-08 në mandatin e kaluar qeverisës ka qenë në shfrytëzim nga zëvendës ministri. Kjo veturë është dashur të kthehet në ministri me rastin e përfundimit të mandatit në dhjetor 2014. Sipas zyrtarit përgjegjës në ministri, vetura është rikthyer në muajin prill 2015”, thuhej në raportin e auditorit të vitit 2014.

Ndërkaq, sipas po të njëjtit raport të Auditorit të Përgjithshëm, Krasniqi gjatë kësaj kohe kishte arritur t’i shpenzonte më shumë se 3 mijë e 700 euro, raporton Insajderi.

“Ne kemi testuar faturat për karburante dhe kemi identifikuar se për muajt dhjetor 2014, janar, shkurt dhe mars 2015 kanë ndodhur shpenzimet në mënyrë jo të rregullt. Vlera totale e furnizimit për këtë periudhë është 3,745€”, sqarohej më tej në raportin e auditorit. /Insajderi.com