fbpx

Novosti: Veteranët e ushtrisë kroate po i trajnojnë shqiptarët

“Kroatët po i trajnojnë oficerët e Ushtrisë së Kosovës. Eksperienca e tyre është interesante për Prishtinën sepse duan ta marrin veriun e Kosovës. Ata arrijnë nëpërmes të Malit të Zi, ndërsa NATO i mbyll sytë”, shkruan gazeta serbe “Novosti”.

Novosti: Veteranët e ushtrisë kroate po i trajnojnë shqiptarët

“Deri te këto të dhëna kanë ardhur shërbimet e inteligjencës serbe, dhe sipas tyre në këtë angazhim është i kyçur edhe gjenerali kroat Ante Gotovina”, pretendon gazeta beogradase.

Sipas këtyre informatave, “veteranët kroatë i bartin eksperiencat e tyre ushtarëve të Kosovës në aksionet e shpejta të armatosura, gjegjësisht i mësojnë për taktikat për reagim të shpejtë nëpër vende kryengritëse”.

“Ky angazhim nuk ka mundur të bëhet pa marrëveshje politike në mes të presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Millo Gjukanoviq, dhe ka të bëjë me marrjen e veriut të Kosovës dhe kështu të rrumbullakohet sovraniteti i Kosovës”, supozojnë shërbimet e inteligjencës serbe.

“Qëllimi i këtij trajnimi është përgatitja e operacionit nën emrin e koduar “Shpata e artë”, e që nënkupton marrjen efikase të veriut të Kosovës dhe në këtë mënyrë rrumbullakimi i sovranitetit dhe vendosja faktike e pushtetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë, serbët do të shkëputeshin nga Serbia, gjë që do të shkaktojë zhvendosjen e tyre nga Kosova”, pretendojnë shërbimet e inteligjencës serbe, gjithnjë sipas gazetës serbe “Novosti”./Insajderi.com.