Nuhiu për FIFA-n: Tifozët qajnë nga gëzimi kur e shohin Kosovën

Nuhiu për FIFA-n: Tifozët qajnë nga gëzimi kur e shohin Kosovën

Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu ka thënë se fansat e Kosovës asnjëherë nuk e kanë besuar se do ta ndiqnin përfaqësuesen e tyre duke luajtur futboll.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, Nuhiu ka folur për momentet e realizimit të golit të parë me fanellën e Kosovës, gol i cili, sipas tij, gëzoi fort tifozët e pranishëm në Shkodër.

Nuhiu realizoi golin në humbjen 2 me 1 nga Islanda. Ai ka thënë se ishte krenar që realizoi këtë gol.

“Ishte ndjenjë e mirë për ata [fansat], veçanërisht për familjen time”, ka thënë Nuhiu. “Sidomos për babanë tim sepse ai është patriot”.

Sulmuesi shtatlartë e cilëson si moment të papërshkrueshëm faktin se Kosova po merr pjesë në gara ndërkombëtare.

“Ata festuan golin në një mënyrë të paparë deri më tani, sepse kjo lloj lumturie është e re për ata”, ka treguar Nuhiu.

“Të luash futboll, të marrësh pjesë në Olimpiadë, është gjë e madh dhe është më shumë se krenari. Ata vuajtën shumë gjatë luftës dhe kurrë nuk besuan se do ta shihnin Kosovën duke luajtur kundër një ekipi tjetër. Kur shohin përfaqësuesen ata qajnë nga gëzimi sepse nuk e kanë menduar se do të ndodhë në këtë gjeneratë”, ka shtuar Nuhiu. /Insajderi.com