Nuk është arrestuar ende kërcënuesi i Shpend Ahmetit

Nuk është arrestuar ende kërcënuesi i Shpend Ahmetit

Deri më tash nuk është arrestuar i dyshuari kryesor që kërcënoi Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë ditës së djeshme.

Zëdhënësja për media nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Gazetën Insajderi se prokuroria së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i zhvilluar hetimet parapenale.

“Lidhur me rastin e kanosjes së ndodhur gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës është duke i zhvilluar hetimet parapenale”, ka thënë Ulaj për Insajderin.

Ulaj ka shtuar se “për çdo informate lidhur me veprimet e tyre deri më tani, ata mund te informojnë”.

Me ç’rast, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me policinë, mirëpo nuk ka marr ende përgjigje se a është intervistuar apo arrestuar i dyshuari.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës ka thënë shkurt për Insajderin se “nuk ka ndonjë zhvillim deri më tani dhe nuk është arrestuar askush, për çdo veprim do t’ju informojmë”.

Gjatë ditës së djeshme Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe asistenti i tij, Nezir Ismaili, dyshohet se janë kanosur në objektin e komunës rreth orës 11:00.

Burime të Gazetës Insajderi, brenda Prokurorisë kanë treguar se Shkelzen Nokaj, është emri i personit që ka kërcënaur Ahmerin, derisa këto burime kanë treguar se Nokaj ka pasur konflikt verbal edhe me policët e sigurimit në komunë. /Insajderi.com

Lexo edhe: Ky është personi që e kërcënoi Shpend Ahmetin