“Nuk është në sektorin tim” – Gatishmëria e zyrtarit qeveritar për të ndërhyrë në një tender

Një këmbim emailesh mes bashkëshortes së një biznesmeni dhe një zyrtari të lartë në Ministrinë e Transportit, qet në pah lehtësinë e të korruptuarit në institucionet kosovare. Shtatë vite pas, akterët kryesor të kësaj afere të dështuar korruptive kanë rrëfime të ndryshme, gati sikurse në telenovelat turke.

“Nuk është në sektorin tim” – Gatishmëria e zyrtarit qeveritar për të ndërhyrë në një tender

Çka nëse punon si drejtor në një ministri dhe në e-mail të vjen një kërkesë për të ndërhyrë në një tender? Në çdo institucion ku funksionon ligji dhe punëtorët i frikësohen dënimit të tyre, një kërkesë e tillë do të injorohej.

Por kjo nuk kishte ndodhur me Qamil Fekajn, që në gusht të vitit 2011 si drejtor i Departamentit të Transportit Rrugor në Ministrinë e Transportit kishte marrë një email nga Mihrie Prekazi, sipas rrëfimit të tij, mike e hershme.

Në atë email, mikja e tij, kishte një kërkesë. Bashkëshorti i saj dëshironte ta fitonte një tender që jepej në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”. Bëhej fjalë për projektin e “Aeroportit me hidroizolimet Gjermano – Franceze”.

Por Mihrije Prekazi, gruaja e biznesmenit Bujar Zhuri, kishte marrë një kërkesë negative. Fekaj ia kishte shuar shpresat se mund t’i ndihmojë. Jo pse kjo është e kundërligjshme dhe cilësohet si aferë korruptive, por për shkak se Fekaj thjesht nuk mund të kryente punë.

Kësisoj edhe kishte dështuar plani që shoku i hershëm që ishte bërë drejtor t’i ndihmonte shoqes që ishte martuar me biznesmen.

Shtatë vite më vonë, rrëfimet për këtë aferë janë të ndryshme. Biznesmeni Bujar Zhuri, pretendon se nuk është i informuar që bashkëshortja e tij ka bërë një kërkesë të tillë për ndërhyrje në fitimin e tenderit. Madje ai pretendon se nuk e njeh Fekajn.

“Kush është z.Fekaj  pasi nuk e njoh askënd me këtë emër. Nuk e kam dëgjuar asnjëherë”, ka thënë Zhuri për Insajderin. Ai ka kërkuar nga gazeta që t’ia tregojë burimin e informacionit mbi këmbimet e emaileve mes bashkëshortes së tij dhe zyrtarit qeveritar. Pretendon se dikush dëshiron ta skandalizoj këtë çështje, por nuk ka treguar se kush.

Më pas e ka cilësuar si profesionale përgjigjen e Fekajt teksa ka thënë se ai qysh nga fillimi e ka ditur se projekti në fjalë nuk është projekt i shtetit por privat. Njashtu sikurse Fekaj ia kishte sqaruar bashkëshortes së tij në emailet e këmbyera.

“Unë është hera e parë që po e shohë dhe po e dëgjoj, pasi unë kam hyre direkt me aeroportin dhe e kam ditur që ka qenë dhe është një projekt privat, por gjithsesi ai i paska kthyer përgjigje profesionale edhe pse unë nuk kam ditur e di me shume”, ka thënë Zhuri për Insajderin.

E Fekaj, që tash është auditor në Ministrinë e Infrastrukturës ka një tjetër rrëfim. Thotë se bashkëshorten e biznesmenit e ka pasur “shoqe të klasës” qysh nga fillorja.

Ai nuk ka pranuar të komentojë përgjigjen e tij kthyer “mikes së klasës”  por është marrë me analizë të mentalitetit korruptiv të kosovarëve. Sidomos të atyre kosovarëve që jetojnë jashtë vendit.

“E vetmja arsye pse Mihrija më është drejtu për ndihmë, është sepse kur e din dikush që e ka dikën të njohshëm, thotë hajt te pyes a mundet me më ndihmu, e unë atë e kam pas shoqe të klasës dhe më shumë nuk dijë, edhe këta që jetojnë jashtë vendit e kanë atë logjikë”, ka thënë ai.

Më pas e ka normalizuar faktin e ndërhyrjes për ndihmë nga shoku i klasës.

“Unë nuk mendoj që është në rregull me kërku ndonjë ndihmesë prej dikujt, por është në rregull me e pyet një shok të klasës, se çka mundesh me ba. Ne jetojmë në këtë hapësirë dhe, dhe ajo e ka pa që unë jam drejtor dhe është normale me pyet hajt te këqyri çka”, ka përfunduar Fekaj. /Insajderi.com