Nuk ka datë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut

Nuk ka datë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut

Bullgaria as në takimin e sotëm të Këshillit të Ambasadorëve nuk i dha dritë jeshile miratimit të kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Si pasojë, nuk u caktua as data për fillim të negociatave, respektivisht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes vendit dhe Bashkimit Evropian.

Ambasadorët do të takohen edhe një herë të mërkurën, ndërsa vendimin përfundimtar pritet ta merr Këshilli i Përgjithshëm i BE-së, më 8 dhjetor.Ndërkohë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është zotuar se do të bëjë çmos për ta zgjidhur kontestin mes Shkupit e Sofjes për ta zhbllokuar euro-integrimin e vendit, megjithatë ende nuk ka sqaruar se si. Dy vendet kanë shkëmbyer dokumente, por nuk dihen detaje.

Ministri i Mbrojtjes së Bullgarisë, Karakaçanov sërish betonoi qëndrimin se Sofja nuk mund t’ia lejojë Shkupit fillimin e negociatave përderisa kjo e fundit e shkel Marrëveshjen e 2017-tës dhe se për këtë e ka mirëkuptimin e shteteve të tjera anëtare.

“Bullgaria i mbron interesat e veta kombëtare. Në fund të fundit, Bullgaria është anëtare e BE-së, jo Maqedonia . Kolegët tanë duhet t’i kenë parasysh qëndrimet e shteteve-anëtare dhe jo të shteteve kandidate. E argumentova këtë në mënyrë të kulturuar me argumente dhe fakte. Nuk mendoj se nuk na kuptojnë partnerët evropianë. Bullgaria asnjëherë nuk ka dhënë mbështetje të pakushtëzuar. Kemi thënë se nëse Marrëveshja nuk respektohet, nuk ka hyrje në BE”, tha Krasimir Karakaçanov, Ministër i Mbrojtjes së Bullgarisë.

Ish-Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, sugjeroi që të mos lëshohet mundësia historike për zgjidhjen e kontestit, duke paralajmëruar se pas zgjedhjeve të marsit, në Bullgari mund të vijë një Qeveri më e vështirë për kompromise. Sipas tij, nëse Shkupi jep garanci për zbatimin e Marrëveshjes e reformave si dhe angazhohet për to, ka mundësi që Sofja t’ia heq veton në dhjetor.

Ndryshe, nisjen e bisedimeve me BE-në, Sofja e kushtëzon me respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen 2017-tës, me udhërrëfyes preciz për zbatimin e Marrëveshjes dhe heqje dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari.