Nuk ka përparim nëse vendi nuk e dëgjon zemërimin e popullit të vet

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se kurrë nuk do të vendoste Evropën para kërkesave të popullit francez.

Nuk ka përparim nëse vendi nuk e dëgjon zemërimin e popullit të vet

Ai këtë e ka deklaruar disa ditë pasi ka paralajmëruar masa të shtrenjta për t’i qetësuar protestat për shkak të rritjes së tatimeve, por të cilat do ta rrisin buxhetin e Francës i cili është në deficit.

“Asnjë vend nuk mund të përparojë nëse nuk e dëgjon zemërimin legjitim të popullit të vet, zemërim i cili shprehet gjithkund në Evropë”, ka thënë Macron për gazetarë para fillimit të samitit të BE në Bruksel, transmeton Reuters.

Presidenti francez ka theksuar se beson në projektin e Evropës, por kurrë nuk do ta zbatonte kundër pretendimeve të cilat i konsideron legjitime.

“Konsideroj se këto dy gjëra mund të pajtohen dhe këtë po përpiqemi edhe ta arrijmë”, ka përfunduar Macron.

Zvogëlimi i tatimit dhe masat tjera të cilat i ka propozuar në mënyrë që ta qetësojë lëvizjen e “Xhaketave të verdha” me siguri do ta rrisë deficitin e buxhetit të Francës deri në nivelin i cili e tejkalon pragun e Komisionit Evropian prej 3 për qind të GDP-së, vlerëson agjencia britanike./Insajderi.com.