Nuk ndryshon forma e rimbursimit të kuponëve fiskalë

Nuk ndryshon forma e rimbursimit të kuponëve fiskalë

Edhe pse drejtuesit e Administratës Tatimore të Kosovës kishin paralajmëruar ndryshimin e formës së aplikimit për rimbursimin e kuponëve fiskalë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë as këtë tremujor. Ndryshe, me formën aktuale të rimbursimit ka rënë shumë interesimi i qytetarëve për të grumbulluar kuponë fiskalë.

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal për tremujorin e katërt 2017, fillon nga 1 janar 2018 dhe deri më 31 janar 2018.

ATK bën të ditur se aplikimi bëhet duke  plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal.

Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës  në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal.

“Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit. Fituesit potencial do të rimbursohen me dhjetë për qind të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se  njëqind euro”, thuhet në njoftim.

Numri minimal i kuponëve fiskal të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro.

Numri Potencial Fitues do të gjenerohet nga sistem i ATK-së në bazë të një algoritmi të përcaktuar nga ATK, duke u bazuar në numrin e plikos, emrin dhe mbiemrin (në rastet kur qytetari posedon dy mbiemra do të merret për bazë vetëm i pari) e qytetarit.

Pas përfundimit të afatit të aplikimit, në njërën nga datat 1 deri më 10 të muajit pasues, ATK do të organizoj tërheqjen e Fitueseve  Potencial (FP),  përmes Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Pas përfundimit të procesit të tërheqjes së Numrave Potencial Fitues, qytetaret të cilët posedojnë Numrin Potencial Fitues të përzgjedhur nga tërheqja, plikon me kuponë fiskal së bashku me të dhënat e aplikimit duhet të dorëzojnë fizikisht të mbyllur, në njërën nga Drejtoritë Regjionale të ATK-së, brenda afatit prej pesë (5) ditë pune pas publikimit të listës në ëeb faqe të ATK-së.