
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, me mbështetje të Këshillit të Evropës, ka prezantuar raportin “E drejta e qasjes në informacione publike. Jurisprudenca vendore dhe ndërkombëtare”.
Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Gallucci është shprehur e privilegjuar për pjesmarrjen në këtë ngjarje.
“Është privilegj që ndodhem këtu, të flas me ju në këtë gjarje me shumë interes”, ka thënë Gallucci, derisa ka theksuar se sa e rëndësishme është e drejta për qasje në dokumente publike.
Autorja e këtij raporti, Flutura Kusari, ka thënë se në një shtet me demokraci të mirëfilltë, qytetarët duhet të kenë qasje në informacione publike, duke shtuar se në Kosovë ka pasur zhvillime pozitive në këtë aspekt gjatë dy dekadave të fundit.
“Në një shtet me demokraci të mirëfilltë, qytetarët duhet të kenë qasje në informacione publike, së paku në ato për të cilat ata kanë nevojë dhe interes. Në Kosovë, dy dekadat e fundit ka pasur zhvillime pozitive të qasjes në informacione publike”, ka thënë Kusari.
Më tej, Flutura Kusari ka vënë theksin te papërgjegjësia e institucioneve publike lidhur me ofrimin e mundësisë për qasje në informacione të ndryshme me interes publik. Ajo ka përmendur faktin që disa institucione injorojnë plotësisht kërkesat për qasje në dokumente publike, e disa i refuzojnë ato pa dhënë arsyetim.
“Institucionet publike nuk kanë data-bazë që mund të na informojnë se sa po zbatohet ligji për qasje në dokumente publike, për të parë se sa kërkesa janë pranuar dhe sa janë refuzuar”, ka thënë Kusari.
Flutura Kusari tha se në raport janë përfshirë edhe Gjykata Themelore si dhe Avokati i Popullit, duke theksuar se Avokati i Popullit ka nisur t’i trajtojë me prioritet ankesat e gazetarëve për shkeljen e të drejtës për qasje në dokumente publike.
Ndërkaq përfaqësues të Avokatit të Popullit thanë megjithëse ligji për avokatin e popullit nuk parashikon afate, ky institucion ka caktuar si prioritet trajtimin në kohë jo më të largët se një muaj, trajtimin e ankesave të gazetarëve. Ndërsa juristja për çështjen e mediave dhe autorja e raportit, Flutura Kusari, ka thënë se Avokati i Popullit ka marrë më së shumti vendime lidhur me ankesat e gazetarëve për shkeljen e kësaj të drejte.
Se qytetarëve e gazetarëve u mohohet e drejta për qasje në informacione publike, e tha edhe Nehat Islami, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara, i cili tha se gazetarët ankohen shumë herë KMShK për shkak të mos ofrimit të qasjes në dokumente publike nga institucionet.
“Këshilli është organi ku gazetarët ankohet shumë herë kur u shkelen të drejtat”, pohoi Islami. Ai përmendi edhe raste kur gazetarët presin gjatë për të marrë një përgjigjje për një dokument apo informacion.
Në këtë prezantim u tha se dhoma e madhe e Gjykates Evropiane për Të Drejtat e Njeriut e ka njohur të drejtën për tu informuar në baze te nenit 10, duke e konsideruar qasjen në informacione publike si të drejtë themelore të njeriut. /Insajderi.com