“Nuk do të ketë më mure dhe barrikada” – Thaçi reagon për rrënimin e murit

“Nuk do të ketë më mure dhe barrikada” – Thaçi reagon për rrënimin e murit

Hashim Thaçi ka reaguar pas fillimit të rrënimit të murit në Veri të Mitrovicës. Ka thënë se kjo është shenjë e mirë e dialogut ndërinstitucional derisa ka premtuar se nuk do të ketë më kurrë barrikada në Kosovë.

Ai ka thënë se përfshirja e faktorëve jashtë Kosovës mund ta prish harmoninë shumë etnike në Kosovë.

“Kosova ua garanton të drejtat dhe liritë çdo qytetari dhe pa marrë parasysh përkatësitë etnike, të gjithë duhet të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin. Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika urrejtëse dhe interferimet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë. Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë”, ka shkruar Thaçi.

“Marrëveshja ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut ndërinstitucional kur ekziston gatishmëria për të gjetur zgjidhje. Kjo është rruga e duhur që duhet ta ndjekim të gjithë, sepse vetëm me angazhim të përbashkët mund ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë dhe mund ta forcojmë edhe paqen e stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, ka shtuar ai.

Muri në Veri të Mitrovicës ka filluar të rrënohet me vendim të autoriteteve lokale pas një marrëveshje me Ministrinë e Ambientit, e cila është arritur mbrëmë vonë me ndërmjetësim të BE’së dhe SHBA’së.

Ende nuk dihet nëse në këmbim të rrënimit të urës do të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. /Insajderi.com