Nuk u dalin pagat, minatorët e Trepçës dhe Kishnicës hyjnë në grevë

Nuk u dalin pagat, minatorët e Trepçës dhe Kishnicës hyjnë në grevë

Minatorët e Trepçës dhe të Kishnicës që nga 1 marsi kanë hyrë në grevë, transmeton Insajderi.

Siç bëhet e ditur, arsyeja e grevës është mosmarrja e pagës së plotë për muajin e kaluar dhe paga e këtij muaji.

Kështu thotë njëri nga minatorët, Flamur Imeri, i cili shpjegon se në muajin e kaluar kanë marrë 70 përqind të pagës ndërsa minatorët në Kishnicë nuk kanë marrë asnjë cent.

“70 përqind të pagës në muajin e kaluar e kemi marrë ndërsa për këtë muaj ende nuk kanë dalë pagat. Momentalisht në minierën e Trepçës jemi mbi 200 punëtorë të ndërrimit të parë që kemi ndërprerë punën”, ka thënë Imeri për Klan Kosovën.

“Minatorët e Kishnicës nuk kanë marrë fare pagën e muajit të kaluar e as të këtij muaji për atë edhe ata kanë ndërprerë punën”.

Imeri mes tjerash deklaron se nuk kanë marrë ndonjë datë se kur do u dalin pagat teksa shtoi se grevën do e vazhdojnë derisa t’i marrin ato. /Insajderi.com