Nxënëset që Erdogan i quajti “kërcënim për shtetin”, krenaria e Kosovës

Nxënëset që Erdogan i quajti “kërcënim për shtetin”, krenaria e Kosovës

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të zgjedhur në Shqipëri, Ilir Meta, që të mbyllin shkollat e klerikut turk Fetullah Gylen, në Shqipëri.

Në një intervistë me Top-Channel, Erdogan tha se shkollat që rivali i tij Fetullah Gylen i ka hapur në Shqipëri janë të rrezkishme. Ai i këshilloi dy liderët shqiptarë që t’i kontaktojnë shkollat e një fondacioni tjetër turk.

“Kam një thirrje të veçantë për shqiptarët. Ju lutem mos i dërgoni fëmijët në shkollat e Gulenit. Të njëjtën kërkesë kam edhe për Edi Ramën dhe presidentin e zgjedhur. Mbyllini këto shkolla, por kontaktoni shkollat e fondacionit Marif, të cilat janë themeluar nga Ministria e Arsimit të Turqisë”, deklaroi Erdogan.

Të njejtën kërkesë, Erdogani e kishte bërë edhe ndaj Kosovës, e pikërisht Kosova, bash në ditën kur Erdogan dha intervistën në Top Channel, u krenua një grup gjimnazistesh nga shkolla “Hasan Nahi” në Prishtinë.

Gjimnasistet kanë arritur ta zënë vendin e dytë në një garë të diturisë, që është mbajtur në Osuego, në New York,  ditë më parë. Vajzat kosovare kanë marrë medalje argjendi në Olimpiadën Ndërkombëtare “GENIUS 2017”, në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme. Ato kanë konkurruar kundër 1700 nxënësve nga 73 shtete të botës.

Kjo shkollë e cila vepron në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, është pjesë e Qendrës Arsimore Gulistan, e cila është një nga degët e Lëvizjës së Gulenit, klerikut turk që ka një sistem të gjerë arsimor në botë.

Suksesin e nxënëseve kosovare, që vijojnë mësimet në gjimnazin “Hasan Nahi” në Prishtinë, e ka përshëndetur edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e cila i ka pritur ato në ambasadën e Kosovës në Uashington.

 

Ajo ka thënë se suksesi i gjimnazisteve kosovare në garën ndërkombëtare të diturisë është “një dëshmi më shumë se vajzat tona dhe rinia jonë nuk njohin kufi, dhe se kureshtja dhe etja e tyre për dituri do ta çojë vendin tonë përpara”.

“T’i dëgjosh ato duke folur për ëndrrat e tyre për të studiuar për inxhinieri gjenetike, kimi, inxhinieri dhe fizikë është dëshmi se e ardhmja jonë është e ndritur”, është shprehur ambasadorja Çitaku.

Para nisjes në SHBA, mbështetje këtyre nxënësve iu kishte dhënë edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Me 12 maj ministri Bajrami kishte pritur në një takim, nxënëset e gjimnazit “Hasan Nahi” të Prishtinës, Elena Hyseni dhe Fatlindë Zogaj, të cilat zunë dy vendet e para në Olimpiadën ndërkombëtare “Golden Climate – 2017”, në fushën e projekteve shkencore mjedisore për energji të qëndrueshme.

Blerona Zulfaj, Kaltrina Hyseni, Çlirimtare Ramadani, Ema Halimi, Emira Jetishi, Elena Hyseni dhe Zana Shehu janë shtatë shkencëtaret e reja kosovare që kanë marrë medalje argjendi në Olimpiadën Ndërkombëtare “GENIUS 2017”, në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme. Ato janë shoqëruar në SHBA nga profesoresha Eriona Basha.

Në saje të rezultateve të vlerësuara nga kjo garë, gjimnazistet kosovare kanë fituar edhe bursa nga “Osëego State University of Neë York”. Ato fituan të drejtën e bursës për shkollimin në këtë institucion, falë medaljes së argjendtë me projektet inovative shkencore.

Presidenti turk pasi kishte fajësuar kundërshtarin e tij Lëvizjen e Fethullah Gylenit për organizimin e puçit ushtarak ndaj tij, kishte bërë një kërkesë ndaj Kosovës, për të mbyllur shkollat e Gylenit që veprojnë në vend.

Erdogan kishte marrë përgjigje nga vet ministri Bajrami i cili kishte thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se të gjitha institucionet arsimore në vend funksionojnë në bazë të ligjit mbi arsimin në Kosovë.

Sipas tij, Kosova nuk udhëhiqet nga deklaratat politike të një shteti tjetër dhe se  do të jetë këmbëngulës që të respektohen ligjet e Kosovës, duke ruajtur njëkohësisht  edhe raportet e mira  me Turqinë.