Nxënësit e shkollës fillore në Prizren fotografohen me flamurin turk dhe përshëndetjen ushtarake – kërkohet reagimi i MASHT-it dhe DKA-së

Nxënësit e shkollës fillore në Prizren fotografohen me flamurin turk dhe përshëndetjen ushtarake – kërkohet reagimi i MASHT-it dhe DKA-së

Zyrtari i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Gent Kryeziu, ka bërë një postim në Facebook ku shihet një person i rritur me disa nxënës të shkollës “Motrat Qiriazi” në Prizren dhe një flamur të Turqisë. Nxënësit në këtë fotografi kanë bërë një gjest i cili simbolizon përshëndetje ushtarake

Kryeziu ka shkruar se shfrytëzimi i fëmijëve nga mësuesit e tyre, me përshëndetje ushtarake është lloji më i poshtër dhe më brutal i abuzimit me fëmijë.

“Shfrytëzimi i fëmijëve nëpër shkollat tona nga mësuesit e tyre me përshëndetje ushtarake në shenjë përkrahjeje të aksioneve vrastare mes ushtrisë turke dhe rezistencës guerile kurde është lloji më i poshtër dhe më brutal i abuzimit me fëmijë. Derisa shkolla “Motrat Qiriazi” në Prizren flirton me fëmijë në këtë mënyrë, kulmi i abuzimit të tillë kurorëzohet me heshtjen e autoriteteve kompetente”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka shtuar se heshtja e MAShT’it, DKA’së dhe KMDLNj’së karshi këtij gjesti, e legjitimon keqpërdorimin e fëmijëve.

“Hesht DKA-ja, hesht MASHT-i, hesht KMLDNJ-ja. Heshtja e tillë pa dyshim që shërben si infuzion mbi legjitimitetin e abuzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve. Çfarë krimi i përkryer”, ka shkruar Kryeziu, transmeton Express.

Ndërkaq, kurdët janë pakica më e madhe etnike në Siri. Ata përbëjnë 5-10 për qind të popullsisë siriane, që në vitin 2011 numëronte 21 milionë banorë. Kurdët jetojnë kryesisht në veri të vendit, pranë kufirit me Turqinë, bashkë me arabët dhe grupimet e tjera etnike. Popullata të mëdha kurde jetojnë edhe në Turqi, Irak, Iran dhe Armeni. Në total në rajon jetojnë 25-30 milionë kurdë, të shpërndarë në 5 shtete, dhe pa asnjë shtet kombëtar.

Milicia është pjesë e një grupi gueriles kurd të njohur si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. PKK ka zhvilluar prej vitesh një luftë guerilase brenda Turqisë. Ankaraja e sheh kontrollin e një zone kaq pranë kufirit të saj nga kurdët, si një kërcënim i madh për sigurinë e saj. Ajo druhet se kjo zonë mund të shndërrohet në strehë të disidentëve që arratisen nga Turqia, apo në një “trampolinë” për rebelët që planifikojnë sulme në territorin turk.