OAK thotë se Qeveria vazhdon të pengojë ardhjen e investitorëve strategjik

OAK thotë se Qeveria vazhdon të pengojë ardhjen e investitorëve strategjik

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, që sipas tij, po vazhdon të pengojë ardhjen e investimeve strategjike.

Krasniqi po ashtu ka thënë se përkundër që është miratuar Ligji për investime strategjike, shumë vite më parë dhe ka dhjetëra aplikacione për investitorë strategjik, Qeveria e Kosovës ka vendosur barriera ndaj këtyre kompanive që i plotësojnë kriteret.

“Jemi duke parë që këto nuk po kalojnë tani në qeverinë e Kosovës, ka qe disa mbledhje të qeverisë që po i shtynë votimin e kalimit të investitorëve strategjik. Prandaj, me këtë po vazhdon të pengohet ardhja e investitorëve, vazhdon të pengohen investimet pavarësisht se këto po i plotësojnë kërkesat nga Komisioni ndërministror për investime”, thekson Krasniqi.

Ndërsa, shefi i kabinetit të ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Albert Maxhuni, ka thënë se fatkeqësisht deri më tani vetëm një investitorë ka fituar statusin e investitorit strategjik në Kosovë.

Për mungesë të investimeve strategjike, Maxhuni ka thënë se ka pasur mjaft procedura burokratike për aplikuesit e këtij statusi, por pas ardhjes së ministrit të MTI-së, Vesel Krasniqi janë bërë disa lehtësime të procedurave për investitorët.

Maxhuni pret që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, kompania “Kosmonte Foods SHPK” të shpallet investitor strategjik.

“Disa procedura burokratike që duhet të kalohen, që fatkeqësisht janë mjaft burokratike, dhe me marrjen e detyrës të ministrit Krasniqi kemi krijuar një ekip punues për të bërë disa plotësim ndryshime për lehtësimin e disa procedurave për marrjen e statusit të investitorit strategjik… Në mbledhjen e fundit të qeverisë ministri Krasniqi ka treguar se në të gjitha Komisionet dhe Grupet Punuese që kanë marrë pjesë në procedimin e lëndës deri aty ka qenë gjithçka në rregull. Kryeministri mendoj që duhet edhe një konsultë tjetër… Por, besoj që gjithsesi në mbledhjen e ardhshme do të kalojë “Kosmonte Foods SHPK”… Është dashur atë ditë të përfundoj, por është mendim i kryeministrit dhe besoj se shumë shpejt do të kalojë… Largimi i ministrit nga mbledhja ishte për shkak të agjendës së ministrit, jo në mënyrë demonstrative”, thotë Maxhuni.

Ai po ashtu theksoi se deri në fund të vitit pritet të fitojnë statusin e investitorit strategjik katër deri në pesë kompani.

“Deri tash janë diku rreth 30 aplikant për të fituar statusin e investitorit strategjik. Jemi duke bërë të pamundurën që së bashku edhe me KIESA-n dhe me ekspert të tjerë që t’i shtyjmë sa më shumë… Deri më tani vetëm një investitorë strategjik e ka fituar këtë të drejt, ndërsa “Kosmonte Foods SHPK” tashmë është në procedurë, në Qeveri. Ndërsa, janë edhe katër ose pesë të tjera që pritet shumë shpejt të drejtohen në qeveri”, thotë ai për KP.

Kosova ka vetëm një investitor staregjik, e ai është “SOËI Kosova” për energji të ripërtrithshme në Shalë të Bajgorës. /Insajderi.com