OBSH parashikon se deri më 1 dhjetor mund të jenë 236 mijë vdekje nga COVID-19

OBSH parashikon se deri më 1 dhjetor mund të jenë 236 mijë vdekje nga COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka parashikuar se deri më 1 dhjetor mund të ketë 236 mijë vdekje për shkak të COVID-19, transmeton Insajderi.com.

Këtë e tha drejtori rajonal i agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi që javën e kaluar pati një rritje prej 11 për qind të vdekjeve në rajon.

“Javën e kaluar, pati një rritje prej 11 për qind të numrit të vdekjeve në rajon, një parashikim i besueshëm pret që 236,000 vdekje në Evropë, deri më 1 dhjetor,” u tha gazetarëve në një konferencë drejtori i OBSH -së për Evropën, Hans Kluge, raporton agjencioni AFP.

Numri global i sëmundjeve të shkaktuara nga Coronavirusi u rrit mbi 216.4 milionë të hënën, ndërsa numri i vdekjeve u rrit në 4.5 milionë, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

ShBA kryeson botën me një total prej 38.8 milion raste dhe 637.539 vdekje. Mesatarja ditore e rasteve të reja gjatë shtatë ditëve të fundit u rrit në 156,886 që nga e diela, me 20% nga dy javë më parë, sipas një gjurmuesi të New York Times. Mesatarja ditore për vdekjet u rrit në 1,296 deri në 96% në dy javë, duke u prirur mbi 1,000 për herë të parë që nga marsi, tregon gjurmuesi. Mesatarja ditore për shtrimet në spital u rrit në 100,319, duke u rritur 24% nga dy javë më parë.

Sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, numri i njerëzve që janë vaksinuar plotësisht u rrit në 173.5 milion, ose 52.3% të popullsisë së përgjithshme të SHBA, ndërsa numri i njerëzve që kanë marrë të paktën një dozë vaksine arriti në 204.4 milion, ose 61.6% të popullsisë së përgjithshme./Insajderi.com