Oda e Afarizmit kërkon që 15 milionët e dedikuara për bonuse të mjekëve e policëve të shkojnë në ndihmë të bizneseve

Oda e Afarizmit kërkon që 15 milionët e dedikuara për bonuse të mjekëve e policëve të shkojnë në ndihmë të bizneseve

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka folur rreth disa propozimeve që janë bërë në drejtim të qeverisë.

Krasniqi në RTV Dukagjini ka thënë se duhet një trajtim i barabartë i punëtorëve në këtë kohë krize sa i përket sektorit publik dhe atij privat.

Ai ka thënë se kërkesa e OAK ndaj shtetit ka qenë që punëtorët e sektorit publik që nuk janë duke punuar të marrin 50% të pagës dhe që punëtorët që punojnë në sektorin privat të marrin së paku 220 euro.

“Shteti i ka mbyllur bizneset. Ato duhet përkrahur në mënyrë që të mos largojnë punëtorët nga puna”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovës ka thënë se edhe 15 milionë eurot e dedikuar për bonuse të mjekëve dhe policëve të kalojnë si ndihmë të sektorit privat ndërsa mjekët e policët të marrin pagën e plotë.

“Për 300 mijë të punësuar në sektorin privat janë dedikuar vetëm 41 milionë euro ndihmë ndërsa për paga shtesë në sektorin privat janë dedikuar 15 milionë euro”.

Krasniqi thotë se pakoja emergjente në ndihmë të bizneseve duhet të shkojë deri në 1 miliardë euro në mënyrë që të ketë edhe punësime të reja nga bizneset.