Oda e Avokatëve vendosë të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë

Oda e Avokatëve vendosë të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës ka shqyrtuar ankesat e paraqitura nga avokatët për trajtimin e tyre “të padinjitetshëm”, dhe çasjes në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, njofton Insajderi.

Kështu u bë e ditur në mbledhjen e sotme të mbajtur nga ky këshill, ku tutje u tha se një trajtim si ky ka filluar tashmë e disa muaj më parë, dhe është marrë vendim që të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga të gjithë Avokatët e Republikës së Kosovës.

“Bojkoti fillon prej datës 08 shkurt 2021 nga ora 08:00, nëse nuk eliminohen pengesat e paraqitura, ashtu që sipas këtij vendimi obligohen avokatët të zbatojnë këtë vendim, moszbatimi i të cilit përbën shkelje të rëndë disiplinore”, thuhet në njoftimin për media nga OAK.

Si rrjedhojë e kësaj, arsyeja e nxjerrjes së këtij vendimi është se avokatët që kanë për të kryer punë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, presin në radhë me qytetarë për të hyrë në Prokurorinë Themelore, kontrollohen dhe detektohen nëpërmjet skanerit sa herë që hyjnë në këtë Prokurori dhe në rast se lejohen nga zyrtari i pranimit, u ndalet telefoni personal.

“Poashtu, për t’u çasur në zyrat individuale të prokurorëve, avokatët nuk mund të lëvizin pa shoqërimin e asistentit të Prokurorit edhe përkundër faktit se avokati, e ka të caktuar seancën paraprakisht”.

OAK, ka zhvilluar tashmë disa takime dhe ka komunikuar në vazhdimësi me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që të hiqen/eliminohen  pengesat si në vijim:

  1. Pritjet e avokatëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, bashkë me palët;
  2. Kontrollimi i avokatëve përmes skaner-it, sikurse për palët;
  3. Kontrollimi fizik i avokatëve;
  4. Detyrimi për mosbartjen e telefonit me vete.

“Duke pasur parasyshë që avokatët përfaqësojnë interesat e palës, asnjëherë nuk mund të konsiderohet se avokati është i barabartë me palën, e aq më tepër të trajtohet njejtë”, thuhet tutje në njoftim.

“Meqenëse deri më tani, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk kanë reflektuar pozitivisht lidhur me kërkesat e Odës së Avokatëve të Kosovës, për eliminimin e pengesave të paraqitura, gjatë komunikimit me shkrim dhe gjatë takimeve, përkundër insistimit të vazhdueshëm të OAK-së, duke parë këtë trajtim të avokatëve është më se e nevojshme që të merret ky vendim për bojkotim të Prokurorisë Themelore, deri në përmbushjen e kërkesave të OAK-së”. /Insajderi.com