OEA kërkon nga deputetët të ndalohet iniciativa për importin e veturave të vjetra

OEA kërkon nga deputetët të ndalohet iniciativa për importin e veturave të vjetra

Oda Ekonomike Amerikane u ka dërguar një shkresë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës shpreh shqetësimet lidhur me iniciativën për heqjen e ndalesës rreth importit të veturave më të vjetra se 10 vjet.

Kjo odë përsëritë qëndrimin e saj se ndryshimi i Ligjit që ndalonte veturat e vjetra do të rriste nivelet e ndotjes.

“Implikimet e tilla në mjedisin rrethues do të kishin implikime edhe në aspektin e sigurisë dhe shëndetit për qytetarët e Kosovës. Ndërsa, një veprim i tillë do të ishte edhe në kundërshtim me iniciativat brenda Bashkimit Evropian për reduktimin e emetimeve të gazrave që lirohen nga automjetet e lehta dhe të rënda”, thuhet në njoftim.

Për më tepër, Oda Ekonomike Amerikane njofton se joefikasiteti i automjeteve të vjetra do të minimizonte çfarëdo përfitimi afatshkurtër që do të mund të gjenerohej nga lejimi i importit të veturave të tilla.

Prandaj u kërkon Deputetëve të Kuvendit të Republikës që të mos e jetësojnë iniciativën e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane.