Ofendimet e KAWA Group ndaj Insajderit dënohen nga Asociacioni i Gazetarëve

Ofendimet e KAWA Group ndaj Insajderit dënohen nga Asociacioni i Gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka dënuar gjuhën që e ka përdorur kompania Kawa Group ndaj gazetarëve të Insajderit.

Një tentim-manipulimi i kompanisë Kawa Group në lidhje me pastrimin e një deponie mbeturinash, ka bërë që kjo e fundit të reagojë për një shkrim në Gazetën Insajderi.

Në një artikull në portalin e kësaj kompanie, ndërtimi.info ka tentuar ta paraqesë Kawa Groupin si organizatore të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

E si reagim ndaj artikullit të Gazetës Insajderi, kjo kompani kishte përdorur gjuhë të ashpër ndaj gazetarëve të Insajderit.

Por këtë gjuhë e ka dënuar AGK-ja, duke e cilësuar si ndërhyrje në punën e gazetarëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon gjuhën e përdorur në një reagim të kompanisë “KAËA Group” ndaj gazetarëve të portalit “Insajderi” në lidhje me një shkrim të publikuar nga këta të fundit. Për AGK-në, është e papranueshme dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në profesionin e gazetarëve dhe lirinë e medieve, përpjekja e kompanisë në fjalë për ta kontrolluar punën e gazetarëve dhe për t’i mësuar ata se si duhet ta kryejnë punën e tyre në terren”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Për Asociacionin e Gazetarëve gjuha e tillë është e papranueshme.

“Sikurse, për AGK, është e papranueshme edhe çfarëdo etiketimi mbi bazë të paragjykimeve ndaj gazetarëve, siç ka ndodhur në reagimin e kompanisë në fjalë ndaj gazetarëve të mediumit “Insajderi”. AGK thekson se gazetarët kanë të drejtën e tyre të përcjellin çfarëdo ngjarje publike dhe të raportojnë të lirë. AGK mbështet raportimin objektiv dhe profesional ndërsa inkurajon palët e pakënaqura që të ndjekin rrugët ligjore për çdo pretendim që mund të kenë, duke u përmbajtur nga etiketimet dhe ofendimet publike”, përfundon komunikata e AGK-së. /Insajderi.com