Bashkohen OJQ-të, me nënshkrime kërkojnë nga BE heqjen e vizave

Bashkohen OJQ-të, me nënshkrime kërkojnë nga BE heqjen e vizave

64 anëtarë dhe drejtorë të organizatave joqeveritare të ndryshme në Kosovë dhe rajon kanë mbledhur nënshkrime si kërkesë për Bashkimin Evropian që t’i liberalizojë vizat në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Insajderi.

Në një njoftim për media thuhet së kërkesa u është bërë BE-së që të veprojë sa ma shpejtë.

“Ne, organizatat dhe individët e nënshkruar nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian (BE) u kërkojmë qeverive të gjashtë vendeve të Ballkani Perëndimor dhe udhëheqësve të Shteteve Anëtare të BE të veprojnë me shpejtësi në heqjen e regjimeve të vizave dhe krijimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen”, thuhet në njoftim.

Më tej, është shkruar së pengesat ekzistuese për lirinë e lëvizjes brenda rajonit po i pamundësojnë lidhjet familjare e po i dëmtojnë bizneset,

“Pengesat ekzistuese për lirinë e lëvizjes brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen po i pamundësojnë lidhjet familjare, dëmtojnë bizneset, frenojnë shkëmbimet studentore dhe akademike, dhe po e pamundësojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal”.

Sipas tyre, mundësitë për qytetarët e vendeve të Ballkani Perëndimor janë shumë më të kufizuara kur bëhet fjalë për të kontribuar dhe përfituar nga projekte rajonale, por edhe nga programe më të mëdha të BE-së — të tillë si Programi Erasmus+.

“Kur mundësi të tilla ekzistojnë, ato priren të jenë të mundshme vetëm për njerëzit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasaporta e të cilëve u lejon atyre të udhëtojnë më lehtë, pa kaluar procedura të gjata dhe të kushtueshme për të marrë një vizë Shengen”, është deklaruar më tej.

Këto OJQ e shohin Samitin e Berlinit si mundësi të mirë për heqjen e regjimit të vizave.

“Takimi i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Berlin është një mundësi e jashtëzakonshme për heqjen e regjimit të vizave dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Eksplorimi i potencialit të kapitalit njerëzor brenda Procesit të Berlinit ka qenë jetik, i cili mundësoi përfshirjen e të rinjve dhe shoqërisë civile si nxitës të ndryshimeve shoqërore dhe që shihet si një investim në lëvizjen e njerëzve. Mbështetjes nga BE për vendet e Ballkani Perëndimor shpesh i ka munguar ky aspekt shoqëror, i cili mund të ketë një ndikim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm mbi qytetarët dhe shoqëritë”, thuhet në njoftim.

Qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në rajon të cilëve u duhet vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Përkundër faktit se në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe votimit nga Parlamenti./Insajderi.com