Oksfordi i merr mirënjohjen lideres së Mianmarit, Suu Kyi

Oksfordi i merr mirënjohjen lideres së Mianmarit, Suu Kyi

Këshilli i Qytetit të Oksfordit në Britani të Madhe i ka marrë çmimin e nderit që ky qytet më parë ia ndau aktivistes për të drejtat e njeriut Aung San Suu Kyi, e cila aktualisht ‘de fakto’ është lidere e Mianmarit në të cilën pakica myslimane po përjeton dhunë dhe persekutim brutal, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëndrimi i saj pasiv ndaj dhunës që ushtria e Mianmarit dhe grupet nacionaliste ushtrojnë mbi myslimanët në Arakan, ishin arsyeja për votimin e fshehtë të anëtarëve të Këshillit të Qytetit.

“Aung San Suu Kyi në vitin 1997 u dekorua me Çmimin për Paqe të Oksfordit, meqë në atë periudhë përfaqësonte vlerat e tolerancës dhe të drejtave të njeriut që propagandon edhe qyteti ynë. Kremtonim luftën e saj kundër represionit ushtarak në Burma. Sot morëm vendim të parevokueshëm për marrjen e kësaj mirënjohjeje për shkak të qëndrimit të saj pasiv ndaj dhunës mbi pakicën Rohingya”, thuhet në njoftimin e qytetit të Oksfordit, që është shtëpia e disa nga univesiteteve më prestigjioze në botë.

Në njoftim po ashtu thuhet se Oksfordi ka reputacion të mirë në botë si një promovues i vlerave humanitare dhe të drejtave dhe nuk guxon të dëmtojë reputacionin duke shpërblyer individë që janë të verbër ndaj dhunës brutale në Mianmar.

Në muajin shtator edhe udhëheqësia e Universitetit në Oksford e hoqi portretin e Suu Kyi.

Në fillim të këtij muaji muzikanti irlandez dhe themelues i organizatës humanitare Live Aid Bob Godolf hoqi dorë nga Çmimi për Paqe të cilin ia dha qyteti i Dublinit, ndërsa arsyeja për këtë është se të njëjtin çmim e posedon edhe Suu Kyi.

Mirënjohja e Oksfordit për Suu Kyi ka pasur rëndësi të veçantë meqë ky ishte qyteti i vendlindjes së ish-bashkëshortit të saj Michael Aris dhe qytet ku janë rritur fëmijët e saj.

Suu Kyi gjithashtu u quajt edhe “Islamofobia Ndërkombëtare e Vitit” për vitin 2017, nga Komisioni Islamik i të Drejtave të Njeriut me qendër në Londër, duke mposhtur Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, kreun e Frontit Kombëtar francez, Marine Le Pen dhe shefin e Partisë së Lirisë të Holandës, Geert Wilders.

Më shumë se 620 mijë muslimanë Rohingya u detyruan të strehohen në Bangladesh pas përshkallëzimit të krizës në gusht.