Olluri: Meta po e shfrytëzon Cakajn për të përfituar para

Olluri: Meta po e shfrytëzon Cakajn për të përfituar para

Parim Olluri, Drejtori Ekzekutiv i Gazetës Insajderi ka komentuar mos dekretimin e Gent Cakajt si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Olluri thotë se Meta nuk ka asgjë personale me Gent Cakajn, mirëpo sipas tij kjo është një tendencë e tij për të rritur pazarin dhe për të përfituar nga qeveria Rama.

Në një intervistë për Reporter TV, Olluri ka thënë se Meta nuk ka bindje politike për asnjë person.

“Unë besoj që Meta nuk ka asgjë personale me Cakaj. Është thjeshtë një tendencë e Metës për të rritur pazarin, për të përfituar diçka më shumë nga qeveria e Edi Ramës. Me ndonjë koncesion të madh apo ndonjë para cash, siç e kemi parë gjatë videos së famshëm duke numëruar para me Dritan Priftin, apo me akuzat që i bëhen me kompaninë e ndërlidhur me CEZ ku Meta akuzohet se ka marrë mbi 1 milionë euro ryshfet”, ka thënë Olluri.

Olluri thotë se mos dekretimi i Cakës ka edhe një anë pozitive pasi që ai do të njoftohet me anën e errët të presidentit të Shqipërisë i cili është një nga njerëzit më të korruptuar.

“Kjo përveç anës negative që mund ta zhgënjejë një diplomat të ri si Cakaj, ka dhe anën pozitive, për shkak që ende pa ja nisur detyrës Cakaj njoftohet me harbutërinë e politikës shqiptare, me anën e errët të presidentit të Shqipërisë i cili është një nga njerëzit më të korruptuar të politikës shqiptare.  Meta nuk ka bindje politike për asnjë person po është më shumë biznesmen se sa politikan dhe President i Shqipërisë. Kjo është e papritshme për Cakajn i cili nuk ka operuar asnjëherë si politikan ditën dhe si biznesmen natën”, është shprehur Olluri.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vendosur që të mos dekretojë kandidaturën e Genti Cakajt si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, një propozim ky i Ramës i cili ka sjellë mjaft debate në arenën politike shqiptare.

Presidenti i është drejtuar me një letër vetë Kryeministrit, ku shkruan se emri i Genti Cakës është një propozim që nuk përmbush një sërë elementësh të përvojës politike, diplomatike e administrative, në një kohë kur Shqipërisë i duhet një kryediplomat me kapacitete të larta.

Gjithashtu Meta e vë theksin tek qëndrimet e dhëna së fundmi nga ana e Cakajt në lidhje me çështjen e kufijve mes Kosovës e Serbisë, që sipas Kreut të Shtetit provojnë një mungesë të theksuar të eksperiencës së Cakajt. /Insajderi.com