Olluri-Sejdiut: A e dëmton imazhin tuaj përkrahja nga Gani Geci?

Olluri-Sejdiut: A e dëmton imazhin tuaj përkrahja nga Gani Geci?

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se nuk i ka kërkuar familjes së ish-deputetit të LDK-së, Gani Gecit, për t’i dhënë atij përkrahje lidhur me kandidimin e mundshëm për kryetar të partisë.

Në një debat në emisionin “Debat Plus me Ermal Panduri” në RTV Dukagjini, Sejdiu u pyet nga drejtori i Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri, për përkrahjen që mori nga familja Geci dhe nëse kjo përkrahje e dëmton imazhin e tij.

“Të vetmit njerëz që janë deklaruar publikisht pro kandidaturës tuaj, kanë qenë familja Geci. Nuk e di nëse keni qenë i koordinuar me ta, për të të përkahur, apo nëse është e pa koordinuar, a mendon se mundet me iu dëmtu në imazh publik përkrahasja e Gani Gecit – i cili veçse është i dënuar dhe akuzuar për dy vrasje?”, ka pyetur Olluri, Sejdiun.

Ish-presidenti Sejdiu deklaroi se ka respekt për familjen Geci.

“Absolutisht nuk ka qenë e koordinuar me familjen Geci. Unë shpreh respektin për qasjen që ka pasur familja, por nuk është një diçka që është koordinuar me mua”, u shpreh Sejdiu.

Ndërkaq, kur u pyet nga Olluri lidhur me pozitën e dobësuar të tij brenda anëtarësisë së LDK-së, Sejdiu tha se “më e rëndësishme është se si ndihet anëtarësia e LDK-së”, e jo ai.

“Më e rëndësishmja është se si ndihet anëtarësia e LDK-së. Unë nuk jam rob i atyre që bëjnë analiza, komente, klikime nëpër rrjete sociale. Unë kam një presion shumë të madh pozitiv prej anëtarësisë”, u shpreh Sejdiu.

“E dyta, është një diçka që e kam thënë edhe më parë; prej momentit që unë nuk kam qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk e kam lëshuar LDK-në sikur nganjëherë dikush që kërcënon se ‘nëse nuk bëhet kjo, unë do të largohem nga partia. Nuk e kam lëshuar LDK-në për shkak të besimit që kam në këtë parti dhe për shkak të besimit që kanë në mua”. /Insajderi.com