Operatorët e telekomit në Japoni heqin ndalimin e shitjes së pajisjeve të Huaweit

Operatorët e telekomit në Japoni heqin ndalimin e shitjes së pajisjeve të Huaweit

Tre operatorët kryesorë të telekomunikacionit në Japoni, KDDI, Softbank dhe DOCOMO kanë hequr ndalimin e tyre për shitjen e produkteve të Huaweit.

KDDI dhe Softbank rifilluan shitjen e produkteve të Huaweit më 8 gusht dhe DOCOMO filloi të pranojë porosi për modelin “P30 Pro” të martën. KDDI i ka siguruar klientët që blejnë telefona Huawei që përditësimet në sistemin operativ “Android” të telefonave të tyre do të vazhdojnë të jenë në dispozicion.

Pasi Shtetet e Bashkuara vendosën kufizime importi ndaj Huaweit, të tre kompanitë japoneze ndaluan shitjen e produkteve të Huaweit.

Të hënën Departamenti amerikan i Tregtisë tha se do t’i jepte Huaweit një leje të përkohshme tregtare 90-ditore për një gamë produktesh e shërbimesh, por gjithashtu përfshiu 46 kompani të tjera të lidhura me Huawein në listën e kontrollit të eksportit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtyre kompanive në 114.