Fraza e opozitës së “kjo është Qeveri e pakicës”, dje ia ka dhënë një përgjigje kreu i Kuvendit Kadri Veseli. Derisa polemizonte me deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ai ka thënë se kurrë Kosova nuk ka pasur “opozitë ma të lodhët”. Megjithatë, kjo opozitë e ka paralajmëruar Veselin se shumë shpejtë do t’i vijë radha rrëzimit të Qeverisë.
“Është e qartë se kemi qeveri të pakicës dhe për shkak të kësaj ndodhemi në situata të tilla. Problemet e kësaj qeverie janë të shumta, por sidomos kjo që nuk e ka shumicën në Kuvend, saqë deputetët e këtij koalicioni janë të detyruar të kapen përdore dhe të vijnë në Kuvend”, ka thënë deputetja Haxhiu.
Sipas saj, vaj halli për një Qeveri që varet prej votave të opozitës.
“Vaj halli me at koalicion i cili mbështetet me votat e opozitës. Natyrisht se kërkojmë zgjedhje se Kuvendi nuk është funksional, kemi një qeveri të pakicës dhe të skandaleve dhe qytetarët nuk e kanë komoditetin për ta duruar tutje”, ka thënë tutje deputetja Albulena Haxhiu gjatë seancës së sotme parlamentare.
“Mund të ketë opozitë të dobët veç ma opozitë ma të dobët e ma të lodhtë nuk ka se vetëm flet edhe nuk merr masa, ti merre votën besimin edhe kqyre kush është pakicë e kush është shumicë, ka rregulla, ka rregulla. Ma e dobët se kjo opozitë që s’merr asnjë veprim…”, ka thënë Veseli.
Megjithatë, Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga deputetja Haxhiu pse deri më tani nuk po merret nisma për mocion mosbesimi, por deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.
Kurse deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë për Insajderin se mocionin e votë besimit do të duhet ta inicionte vetë Qeveria për shkak të kontestimit të legjitimitetit.
“Çështja e ngritjes së mocionit të mosbesimit në deklaratat e djeshme, mendoj se do të duhej të shtroheshin në një nivel tjetër. Në vendet demokratike kur Qeveria dyshon në legjitimitetin e vet, kërkon mocion votëbesimi dhe e sheh se sa vota i ka. Dhe nëse opozita nuk merr mocion mosbesimi, Qeveria duhet ta bëjë këtë për shkak të kontestimit të legjitimitetit. Ata nuk e bëjnë këtë”, ka thënë Selmanaj për Insajderin.
Ai ka thënë se do t’i koha edhe mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, por deri më tani LDK-ja e ka provuar me tryeza si mundësi e zgjidhjes së problemit.
“Ne e kemi provuar me tryeza, dhe siç duhet, janë konsumuar këto, dhe mundësia tjetër është shfrytëzimi i mekanizmave kushtetues për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Do t’i vijë rendi edhe kësaj pune”, ka shtuar ai.
Sa i përket epitetit të Veselit për “opozitë të lodhët”, deputeti Selmanaj ka thënë se këto janë më shumë deklarata për konsum politik dhe nxitje e elektoratit sesa që kanë ndonjë përmbajtje.
“Mendoj se deklarimet e tilla janë në kontekst të konsumit ditor dhe nxitjes së elektoratit se sa që ka përmbajtje në to”, ka thënë deputeti Selmanaj.
Sipas tij, Veseli duhet t’i ketë parametrat matës për “opozitë të lodhët”.
“Kur i thua dikujt opozitë e dobët, duhet t’i kesh parametrat se me çka e vlerëson opozitarizmin si të dobët ose të fortë. Unë mendoj se këto maten vetëm me punën dhe angazhimin e tyre – pra sa po i shfrytëzojnë mjetet kushtetuese për ta luajtur rolin e tyre. Opozitë më të fortë kurrë s’ka pasur Kosova”, ka thënë deputeti i LDK-së.
“Nëse i shikon numrin e interpelancave, numrin e pyetjeve parlamentare, kërkesat për debat parlamentar, është opozita prej më të fuqishmëve që e ka pasur Kosova ndonjëherë. A nëse dikush e matë me gazin lotsjellës, me sulmin me vezë, dhe tendencën që me dhunë ta bojkotojnë kuvendin, atëherë unë nuk kam koment për këtë temë”, ka shtuar ai.
Në këtë drejtim, deputeti Selmanaj e pranon se aktualisht nuk i kanë votat për ta rrëzuar Qeverinë. Por thotë se ka një shpresë të pakënaqësitë brenda koalicionit qeverisës.
“Nominalisht opozita nuk i ka votat e mjaftueshme, si parti opozitare jemi 59 deputetë. Por duke e parë diversitetit brenda koalicionit, nuk do të thotë që nuk kemi mi pas votat. Ndoshta vetë PDK-ja ka me qenë ajo e para e cila do të thotë se po bëhem me juve për ta rrëzuar Qeverinë.
Vlerësimi i tij është se para vitit të ri vendi do të ketë zgjedhje të reja.
“Në mënyrën se si po rrjedhin gjërat, është shumë e mundshme që para vitit të ri të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ndër tjera ai./Insajderi.com