Opozita e pret me protestë betimin e Thaçit për president

Opozita e pret me protestë betimin e Thaçit për president

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, më 8 prill do të marrë zyrtarisht postin e presidentit të Shtetit në një ceremoni të veçantë që pritet të zhvillohet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, por pa prezencën e krahut opozitar. Sikurse zgjedhja e tij për president të vendit që u bë pa praninë e opozitës, edhe inaugurimi i tij do të zhvillohet në të njëjtën mënyrë, por tani nuk dihet nëse opozita do të protestojë apo të rrijë e qetë.

Derisa tri partitë opozitare nuk kanë qëndrim se si do ta presin ceremoninë e presidentit të ri, nga zyra e Hashim Thaçit konsiderojnë se për të premten e dytë të prillit, (08.04.2016) janë ftuar personalitete e burrështetas nga shumë shtete.

Zyra për Informim e presidentes në largim, Atifete Jahjaga, ka konfirmuar për “Zërin” se ceremonia e inaugurimit do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”. “Ceremonia do të mbahet më datën 8 prill 2016 në Sheshin ‘Skënderbeu’.

Për më shumë hollësi rreth ceremonisë drejtojuni kabinetit të presidentit të zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim në Presidencë, shkruan gazeta Zëri.

Ndërkohë, deputeti Daut Haradinaj ka paralajmëruar protestë simbolike ditën e betimit të Thaçit në shesh.