Opozita fillon koordinimin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë

Opozita fillon koordinimin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë

Shefat e grupeve parlamentare të tri partive opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës – janë takuar sot për t’i koordinuar aktivitetet në mënyrë që të sigurohet mbështetja për të iniciuar votën e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Enver Hoti, deputet i Nismës për Kosovën, parti kjo e cila e ka propozuar këtë iniciative, i ka thënë Insajderit se në këtë takim partitë janë dakorduar që të vazhdohet me aktivitetin ”e përbashkët të koordinuar ngushtë mes vete si opozitë”.

Sipas tij, opozita është duke vazhduar që të bindë edhe deputetët e koalicionit qeverisës për ta mbështetur këtë nismë.

“Kontaktet janë të pandalshme dhe jemi shumë aktivë në këtë drejtim. Besoj se do tokemi sukses”, ka thënë ai, duke shtuar se deputetët e koalicionit PDK-LDK janë bindur se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.

“Mendoj që edhe deputetët nga mazhoranca tani janë të bindur se vendi po kalon në krize thellë politike,“  ka thënë Hoti.

Deputetët e Kosovës mund të iniciojnë një votë mosbesimi ndaj qeverisë vetëm pasi që të ketë mbledhur 40 nënshkrime. Pastaj, duhen 61 vota e më shumë që qeveria të mbes pa mandat dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Të premten, shefja e GP të Nismës, Valdete Bajrami, i ka thënë Insajderit se tashmë kanë filluar bisedimet me disa prej deputetëve për të siguruar nënshkrimin e tyre për të iniciuar këtë nismë.

Në vitin 2010, në kohën kur qeveria drejtohej nga Hashim Thaçi në një koalicion me LDK-në, vendi kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme pikërisht për shkak të një mocioni të mosbesimit.

Ata kohë vlerësohej se Aleanca Kosova e Re kishte bërë “favor” PDK-së, e cila insistonte në zgjedhje të parakohshme

AKR kishte nisur mocionin e votëbesimit ndërsa atë e kishin votuar edhe vetë deputetët e PDK-së.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme atë kohë ishin bërë pasi ish-presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ishte njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit për shkak që kushtetuesja kishte gjetur se ai ka bërë shkelje meqë ka mbajtur të dy këto pozita.

LDK ndodhej në një krizë të brendshme si pasojë e këtij zhvillimi.

Në rrethanat aktuale, LDK përsëri shihet në pozitë të palakmueshme, meqë deputetët e kësaj partie nuk po i binden Isa Mustafës që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, tash e një kohë ka filluar një “tur dëgjimi” me qytetarët e Kosovës. Ai thotë se një gjë të tillë e bëri që të kuptojë më mirë “shqetësimet e tyre dhe prioritetet e vendit tonë”. Pas këtij turi, ai ka filluar një të ri: takime me ekspertë të fushave të ndryshme.

Sipas tij, këtë po e bën që të gjinden mënyra që vendi të ulë papunësinë./Insajderi.com