Kjo është qeveri antieuropiane dhe e dëmshme për qytetarët. Me këto fjalë, koalicioni opozitar shqiptar  Aleanca për Shqiptarët" />

Opozita shqiptare kritika të ashpra Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Opozita shqiptare kritika të ashpra Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Kjo është qeveri antieuropiane dhe e dëmshme për qytetarët. Me këto fjalë, koalicioni opozitar shqiptar  Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ka shënjestruar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut si fajtore kryesore për dështimin e integrimeve dhe shumë detyrave të tjera me interes për qytetarët. Në një konferencë për media, opozita shqiptare ka numëruar sot disa elemente të cilat dëshmojnë se Qeveria për gjithçka mund të mërziten, pos për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

“Kjo qeveri është formuar mbi paradigmën e mashtrimit “kryeministri shqiptar”, duke u shndërruar kështu në pushtetin ekzekutiv që ka rrënuar çdo kriter demokratik dhe moral të pjesëmarrjes në zgjedhje; Kjo qeveri ka ardhur si rezultat i zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020, të cilat për ne janë jolegjitime, ngase në këto zgjedhje manipulimi i votës, vjedhja, blerja dhe format e tjera të deformimit të vullnetit demokratik u bënë standard i një shteti që, së paku, zyrtarisht aspiron për të qenë anëtar i BE-së; Ky pushtet i ka dhënë tokë ndërtimore në vlerë prej 200 milionë eurosh një afaristi kontrovers, siç është Daka Davidoviq, që sponsorizon agjenda antierupiane në rajon” theksoi zëdhënësi Murtezani.

Koalicioni opozitar shqiptar ka akuzuar Qeverinë edhe për dështim të plotë me sistemin arsimor në kohë pandemie, për humbjen e mbi 60 mijë vendeve të  punës, si dhe për shkallën e lartë të vdekjeve nga pandemia dhe imunizimin në nivelin ndër më të ulëtit në Europë.

“Kjo qeveri ka mundësuar të pajisen me pasaporta mbi 200 kriminelë ordinerë ndërkombëtarë, që kërkohen në gjithë botën, me çka dëshmon se RMV-ja është bërë strehimore për kriminelët, ndërsa ky pushtet është thellë i përfshirë në krim të organizuar ndërkombëtar.Kjo qeveri sot “mburret” vetëm me kanabizimin e shtetit, ku drejtuesit e policisë janë bashkëpunëtorët më të ngushët të narko-dilerëve. Në listat e vetme ku kjo qeveri e ka vendosur shtetin tonë në krye janë indekset e korrupsionit, kjo e shfaqur bile edhe në blerjen e vaksinave. Duke e ditur se drejtësia është vlera fondamentale e BE-së, kjo qeveri e ka bërë të kundërtën -politizimin, etnizimin dhe partizimin e sistemit të drejtësisë”, tha Murtezani.

Në fund, Murtezani tha se kjo Qeveri po synon të bëjë edhe abuzimin me mediat, në mënyrë që ta ngufasë fjalën e lirë dhe të drejtën e informimit objektiv, që janë parime themelore europiane. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa gjykojnë se shpëtimi i vetëm për t’u kthyer në agjendën europiane është që ky pushtet të ikë sa më shpejt dhe të hapet perspektiva për një frymë integruese në BE. Zgjedhjet e parakohshme dhe një shumicë e re, sipas tyre, mund të ndërtojnë një rrëfim tjetër për Maqedoninë e Veriut karshi procesit integrues në Bashkimin Europian. /Insajderi.com