Opsionet e SHBA-ve për t’i bërë presion Pakistanit

Opsionet e SHBA-ve për t’i bërë presion Pakistanit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shumë mjete në dispozicion për t’i bërë presion Pakistanit, për shkatërrimin e bazave të dyshuara të talibanëve afganë dhe për arrestimin e liderëve ekstremist në territorin e vet, thonë analistët, derisa Uashingtoni po i shqyrton mënyrat për ta gjetur një zgjidhje për luftën më të gjatë të të gjitha kohërave të Shteteve të Bashkuara.

Në zbulimin e stretegjisë së re të tij për Afganistanin, këtë javë, presidenti Trump e ka kritikuar Pakistanin për strehim të “agjentëve të kaosit” dhe për dhënien e strehimit të sigurt për grupet militante, që luftojnë kundër qeverisë së Afganistanit, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Islamabadi duhet me të shpejtë ta ndryshoj qëndrimin ose do të ketë konsekuenca.

Analistët thonë se opsionet e Trumpit mund të jenë prej ndërprerjes së ndihmave vjetore ushtarake prej miliarda dollarësh, që do ta eliminonte statusin e Pakistanit si aleat kryesor jashtë NATO-s, me qëllim që Islamabadi të detyrohet t’i mbështes përpjekjet e ripërtrira të Shteteve të Bashkuara, për ta ndihmuar Kabulin në zmbrapsjen e talibanëve dhe detyrimin e këtij grupi militant fundamentalist, për të zhvilluar negociata për zgjidhje politike.

Por, çështja se si të detyrohet Pakistani, që ka armatim atomik, për t’i goditur bazat e militantëve në terrritorin e vet, për një kohë të gjatë ishte pikë e mospajtimeve të ashpra, shkruan REL.

Përdorim i shkopit dhe karrotës

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ishte përpjekur, por duket se ka dështuar, për ta bindur Pakistanin për ta ndryshuar kursin, me ndihma ushtarake në vlerë prej miliarda dollarësh dhe me shitje të subvencionuar të armatimit.

Analistët, megjithatë, thonë se Trump me gjasë, më tepër do ta përdorë shkopin se karrotën, në marrëdhëniet me Pakistanin.

Zoti Trump ka shkuar edhe mëtutje, duke synuar angazhim më të madh të Indisë në Afganistan, që është një veprim që ka tingëlluar në mënyrë alarmuese në Pakistan.

Armiqtë e përbetuar me armatim atomik, Pakistani dhe India, për vite të tëra kanë garuar për ndikim në Kabul.

Në këtë kuadër, India i ka ndihmuar qeveritë civile afgane me ndihma prej miliona dollarësh, derisa Islamabadi është përpjekur të formojë qeveri miqësore në Afganistan, nëpërmjet disa përfaqësuesve të talibanëve dhe muxhahedinëve.

“Administrata Trump duket se është e përkushtuar për rritje të presionit ndaj Pakistait, për eliminimin e bazave të sigurta terroriste në tokën e vet ose për t’i sjellur talibanët në tryezën e negociatave”, thotë Ahmad K. Majidyar, ekspert për Azinë Jugore.

Analistët konsiderojnë se Uashingtoni, së pari, do të bëjë përpjekje agresive diplomatike për ta bindur Pakistanin që ta ndryshojë qasjen e vet dhe do të mbështetet në masat ushtarake dhe financiare, nëse Islamabadi dështon të veprojë.

“Ne kemi disa leva”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në përgjigje të pyetjes për strategjinë e re të presidentit Trump, dhe ka shtuar se “në kuptimin e ndihmës, statusit të tyre si partner jashtë NATO-s, të gjitha këto do të jenë në tryezë”.

Pakistani është në mesin e 16 vendeve që kanë status të aleatit madhor jashtë NATO-s. Ky status nuk përfshinë mbrojtje reciproke, sikur në NATO, por lejon bashkëpunim të afërt ushtarak.

Mohammad Taqi, analist politik pakistanez, me seli në Shtetet e Bashkuara, konsideron se shkatërrimi i statusit të aleatit për Pakistanin do të ketë implikime për financimin ushtarak në Pakistan.

“Kjo do të thotë se përfundojnë kontaktet preferenciale të ushtrisë me ushtrinë”, thotë Taqi dhe shton se “nëse ky status ndryshon, Pakistani më nuk do të ketë qasje preferenciale në teknologjinë ushtarake, planifikimin dhe stërvitjen”.

Cilësimi terrorist

Presidenti Donald Trump mundet, po ashtu, ta cilësojë Pakistanin si “sponzor shtetëror të terrorizmit”, që do të nxiste sanksione të ashpra amerikane, përfshirë edhe ndalesën e shtijes së armatimit dhe përfundim të ndihmës ekonomike të Shteteve të Bashkuara për Pakistanin.

Me këtë cilësim nga ana e Shteteve të Bashkuara përfshihen vetëm tri vende: Irani, Siria dhe Sudani.

Departamenti amerikan i Shtetit, në faqen e tij në Internet, thotë se ky emërtim bartë me vete katër kategori kryesore të sanksioneve, përfshirë “kufizime në ndihmën e jashtme amerikane, ndalesë të eksportit dhe shitjes dhe kufizime të shumanshme financiare dhe të tjera”.

“Emërtimi sipas kësaj reference të autoriteteve, po ashtu, implikon legjislacione të tjera për sanksione, me të cilat penalizohen personat dhe vendet që angazhohen në tregti të caktuar me shtetin sponzor”, thotë Departamenti amerikan i Shtetit.(REL)