Opsioni i Apple si ta kufizojmë kohën që e shpenzojmë në telefon

Opsioni i Apple si ta kufizojmë kohën që e shpenzojmë në telefon

Kompania “Apple” do të ofrojë mënyra të reja për njerëzit që dëshirojnë të kufizojnë kohën që shpenzojnë me iPhonen e tyre.

Ndërkaq, kompania paraqiti edhe funksione të reja që synojnë t’i bëjnë produktet e saj të domosdoshme. Ky paradoks u shfaq gjatë Konferencës Botërore të Programuesve, ku drejtuesit e kompanisë “Apple” paraqitën programet që do t’i ofrohen publikut në të ardhmen.

Disa nga funksionet e reja po mundësohen pas kritikave se pajisjet po krijojnë gjithnjë e më shumë ndërvarësi dhe shpërqendrim.

Por, Apple e bën të qartë se shpreson gjithashtu që pajisjet dhe shërbimet e saj të jenë edhe më joshëse, madje të parezistueshme. Programi i asistentit dixhital Siri do të ketë hapësira të reja për të funksionuar si “truri rezervë” i përdoruesve. Do të ketë mundësi të reja argëtimi dhe komunikimi, transmeton VOA.

Por, Apple po paraqet gjithashtu edhe opsione të reja për mosbezdisjen e përdoruesve, ose opsione për zbehjen automatike të ekranit përpara orarit të gjumit. Gjithashtu, njerëzit do të mund të përcaktojnë kufizime kohore për përdorimin e çdo aplikacioni.

“Pra, Apple njoftoi sot iniciativën për ‘shëndetin dixhital’. Duket se janë një grupim opsionesh të integruara në aplikacione që me kalimin e kohës do t’ju ndihmojnë të përdorni më pak telefonin tuaj. Pra, Apple ka pranuar kështu se njerëzit ndërvaren nga celularët e tyre dhe me opsionet e reja i ndihmon të shkëputen nga hapja e kotë e celularit”, thotë Brian Blau, zv.president i kompanisë “Gartner”.

Sidoqoftë, Apple po shton opsione të reja për realitetin e shtuar virtual, me objekte të reja memoji që mund të përdoren në mesazhe, si dhe elemente argëtimi që shfaqen si pjesë e botës së vërtetë.

“Është një përpjekje e kompanisë Apple për t’i mbajtur të kënaqur përdoruesit, duke u ofruar opsione më të shumta për personalizimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre individual dhe duke iu përshtatur punës që bëjnë”, thotë Blau.

Konferenca e programuesve zhvillohet deri më datën 8 qershor në San Jose, të Kalifornisë.