ORCA: Avancimet sekrete dhe jomeritore po sabotojnë cilësinë akademike në UP

ORCA: Avancimet sekrete dhe jomeritore po sabotojnë cilësinë akademike në UP

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka përcjellë me vëmendje të shtuar avancimet me dyer të mbyllura që po ndodhin në Universitetin e Prishtinës.

ORCA thotë të jetë shqetësuar për mungesën e thellë të transparencës në këtë proces me ç’rast Rektorati në bashkëpunim me Senatin e UP-së kanë përjashtuar mundësinë për informim të qytetarëve të Kosovës duke mos njoftuar e as lejuar mediet të marrin pjesë në seancat ku po merren këto vendime.

Kjo organizatë ka verifikuar të gjitha punimet në revista shkencore ndërkombëtare të pretenduara nga kandidatët dhe komisionet vlerësuese. Nga hulumtimi i kandidaturave të paraqitura, ORCA thotë se janë evidentuar avancime në shpërputhje me Statutin e UP-së, Ligjin për Arsimin e Lartë të Republikës së Kosovës, rregulloren dhe rekomandimin aktual të Senatit që rregullojnë çështjet e avancimeve.

“Kandidatë që nuk përmbushin kriterin e punimeve në revista shkencore ndërkombëtare janë avancuar tashmë në raundin e parë të avancimeve nga radhët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, në një mbledhje të fshehtë të senatit të UP-së të datës 31 janar 2017”, thuhet në komunikatë.

“Gjatë viteve të fundit, shoqëria civile dhe grupimet studentore janë angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për t’u vënë fre avancimeve jomeritore në UP dhe për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Një sërë artikujsh hulumtues janë publikuar edhe në media mbi këto çështje”, vazhdon komunikata.

“Mjerisht, sot ne vëmë re se pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve, strukturat drejtuese të universitetit mbeten të vendosura për të thelluar mashtrimin dhe mediokritetin akademik, duke sabotuar më tej, meritokracinë universitare dhe cilësinë e mësimdhënies”, thuhet më tej aty.

ORCA i bën thirrje Senatit të UP-së që të ndërpresë modelin tinëzar dhe jomeritor të avancimeve me dyer të mbyllura, pa llogaridhënie dhe larg syve të medias dhe publikut.

Ajo i bën thirrje edhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Kuvendit të Republikës – si autoriteti suprem për çështje që lidhen me Universitetin e Prishtinës – që të hetojnë menjëherë Senatin e Universitetit dhe punën e komisioneve vlerësuese.

“Inkurajojmë mediet që të shtojnë presionin për të hapur dyert dhe rregulluar njëherë e mirë pjesëmarrjen në mbledhjet e senatit, Këshillit Drejtues dhe të gjitha organeve vendimmarrëse të UP-së, pasi bëhet fjalë për institucion publik që financohet nga qytetarët e Kosovës”, kërkon ORCA.

Gjatë ditëve në vijim, ORCA thotë se do të publikojë rezultatet e saj nga hulumtimi i kandidaturave për avancim dhe shkeljet e kryera nga senati i UP-së në avancimin e personave që nuk i përmbushin kushtet sipas rregullave në fuqi të Universitetit të Prishtinës.

ORCA është një organizatë e shoqërisë civile, pjesë e një rrjeti më të gjerë të OJQ-ve, grupeve aktive, institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertëve e akademikëve meritorë, të cilët këtë vit kanë vënë në fokus të veprimtarisë së tyre, përmirësimin e cilësisë akademike në Universitetin e Prishtinës./Insajderi.com