
Detaje të reja janë mësuar në lidhje me keqpërdorimet që janë bërë me dokumente fiktive mjekësore nga ordinanca “Shëndeti-Po” në Vushtrri.
Përmes kërkesës për qasje për dokumente publike, Ministria e Shëndetësisë ka ofruar raportin e Inspektoratit Shëndetësor në lidhje me inspektimin e bërë në IPSH “Shëndeti-Po”, të hartuar pikërisht ditën kur rtklive.com ka raportuar për dyshimet për keqpërdorime të këtij institucioni.
Në raportin që Ardita Baraku, kryeinspektore e Shëndetësisë e ka hartuar për Policinë e Krimeve Ekonomike, jepen detaje të dy fazave të inspektimit të kryera nga Inspektorati Shëndetësor.
Ky raport i është përcjellë edhe Ismajl Sadikut, pronar i Institucionit “Shëndeti-Po”.
Inspektimet, sipas raportit, janë kryer më 12.04.2017 bashkë me zyrtarë të Departamentit të Njësisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike.
Inspektimi, thuhet në raport, është bërë pasi një kompani e sigurimeve holandeze ka kërkuar verifikim të dokumentacionit mjekësor të lëshuar nga ordinanca “Shëndeti-Po”, ku pacientëve, qytetarë të Holandës u është ofruar shërbim shëndetësor.
“Në ora 17:30, ekipi i Inspektoratit Shëndetësor dhe zyrtarë të NJHKEK, regjioni i Mitrovicës, ishin para hyrjes së IPSH “Shëndeti-Po”, i cili ishte mbyllur. E kontaktuam z. Ismajl Sadiku në telefon dhe u informuam se është në vendin e punës në Shërbimin e Urgjencës”, thuhet në raport të inspektimit, njofton rtklive.
Por, Sadiku, me kërkesën e inspektoratit dhe Policisë kishte shkuar në institucionin privat “Shëndeti-Po”.
Ndonëse Ministria e Shëndetësisë ka revokuar licencën e institucionit “Shëndeti-Po” në shtator të vitit 2015, në atë institucion, sipas raportit të Inspektoratit Shëndetësor, ishte e vendosur licenca që kishte afat valid deri më 14.10.2019.
“U kontrollua regjistri i pacientëve dhe u konstatua se nuk ishte regjistruar asnjë pacient përfshirë pacientët për të cilët kanë arritur disa kërkesa nga një kompani e sigurimeve të Holandës”, thuhet në raportin e Inspektoratit Shëndetësor.
Në raportin e siguruar përmes qasjes në dokumente publike, thuhet se me kërkesën e zyrtarëve të Njësisë së Krimeve Ekonomike të Policisë, është konfiskuar vula e institucionit.
Por, Inspektorati nuk ka arritur të konstatoj se në “Shëndeti-Po” ofrohet shërbim shëndetësor për pacientët.
Inspektorati rekomandon që të respektohet vendimi i lëshuar nga Bordi për Licencim të Institucioneve të kujdesit privat shëndetësor.
Ndryshe, ky institucion po hetohet nga Policia e Krimeve Ekonomike se ka lëshuar dokumente fiktive për disa kosovarë që jetojnë në Holandë. Në këto dokumente, dyshohet se janë fryer çmimet për ‘shërbimet shëndetësore’ të ofruara për kosovarët me shtetësi holandeze.