Shkrimtari Rexhep Qosja pjesë e festivalit “FICTION FEST”

Shkrimtari Rexhep Qosja pjesë e festivalit “FICTION FEST”

Në kuadër të festivalit ndërkombëtar të prozës që do të mbahet më katër dhe pesë tetor do të marrë pjesë shkrimtari Rexhep Qosja.

“FICTION FEST” do t’i ketë dy net dhe do të mbahet në Prishtinë me datat 04 dhe 05 tetor, 2018, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Rexhep Qosja është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, i botuar në vitin 1974, edhe sot vlerësohet si një kryevepër e letërsisë shqipe. R. Qosja ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në studimin e letërsisë shqipe, ndërsa prozës artistike shqipe i solli risi stilistike dhe trajtë të veçantë shkrimi. Ai do të jetë i pranishëm në këtë festival, duke na nderuar me pjesëmarrjen e tij. Është privilegj për secilin festival letërsie që ta ketë pjesë të tij një autor tejet të rëndësishëm, të veçantë e të vlefshëm, siç është Rexhep Qosja.

Përveç Qosjes pjesë e ëktij festivali do të marrin pjesë edhe shkrimtarë tjerë si Donika Dabishevci, Srdjan Tesin, Virion Graçi, Stefan Boshkoviq dhe Dimitar Samardjev.

Festivali Ndërkombëtar i Prozës “FICTION FEST” u mbështet materialisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-Qeveria e Republikës së Kosovës), si dhe u sponsorua nga TELEKOMI I KOSOVËS (Telefonia Mobile “Vala”). Ndërkaq, sponsor medial i “FICTION FEST” është gazeta online “INSAJDERI”.