Organizata e tij ka miliarda dollarë, por ai vetë fle në një dyshek mbi dysheme

Organizata e tij ka miliarda dollarë, por ai vetë fle në një dyshek mbi dysheme

Emri i tij është lakuar kaq shumë këto ditë në median shqiptare. Po kush është Fethullah Gulen, kleriku që ka trazuar jo vetëm Turqinë? – shtrohet pyetja në shkrimin që e transmeton MAPO.

Predikuesi jeton që prej vitit 1999 në SHBA për shkak se ka shumë armiq në Turqi. Organizata e tij, e quajtur Hizmet, operon një rrjet global shkollash, firmash dhe kompanish mediatike. Kjo organizatë cilësohet nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan si organizatorja e grushtit të shtetit ndaj tij.

Gulen jeton në një kompleks të mbikëqyrur rreptë në qytetin e vogël Sejlorsburg, rreth 100 milje larg Nju Jorkut. “Armiku më i madh i Ankarasë” i ka mohuar vazhdimisht akuzat që i bëhen.

75-vjeçarin e vizitojnë pak njerëz. Ata i nënshtrohen një kontrolli të rreptë përpara se të futen brenda në shtëpi.

FBI e pati këshilluar që të ruhet me roje të armatosura. Në parking gjendet gjithmonë gati një Porsche fuoristradë. Miqtë duhet të heqin këpucët përpara se të futen në shtëpi. Gratë duhet të mbulojnë shpatullat.

Dhoma e pritjes është e mbushur me ar, ornamente, tapete elegantë dhe porcelan fin.

Gulen, që vuan nga diabeti dhe ka pasur probleme me zemrën, jeton vetë në një dhomë të vogël. Ai ka qenë aleat dikur me Erdogan dhe të dy ndihmuan në rritjen e partisë AKP. Tani të dy e urrejnë njëri-tjetrin.

Kur Gulen shkoi në mërgim, u bëri thirrje mbështetësve që të marrin pushtetin duke u infiltruar në institucionet e shtetit. Pushteti i Gulen nisi të rritej në vitet ’70, kur ishte imam në një xhami në Edirne. Kleriku karizmatik filloi të kishte një popullaritet të madh me predikimet e tij. Gjatë kësaj kohe nisi të ndërtonte shkolla dhe konvikte, të cilat i quante “shtëpitë e dritës”. Të diplomuarit e këtyre institucioneve u bënë ndjekës të tij dhe tani kanë nën kontroll banka, televizione e gazeta.

Opinionet për Gulen janë të ndryshme. Disa e shohin lëvizjen e tij si një sekt. Të tjerë thonë se ai është predikuesi më i rëndësishëm i Islamit modern.

Pavarësisht se organizata e tij ka miliona në pasuri, vetë Gulen thotë se nuk ka asgjë. Ai fle në një dyshek mbi dysheme. Pranë tij janë disa libra dhe shishe të vogla me vajra. Veranda e madhe e shtëpisë së tij është e mbushur me panele të zeza, për të mos lejuar shikimin nga larg.

Në dhomën e tij mund të futesh vetëm me një kartë me çip special. Një ashensor e zbret Gulen direkt në garazh, prej nga ai shkon në spital për kontrolle të rregullta. Në raste të tjera, ai nuk e lë kurrë shtëpinë.