fbpx

OSBE organizon panairin e dytë vjetor të punësimit për komunitetin RAE të Kosovës

OSBE organizon panairin e dytë vjetor të punësimit për komunitetin RAE të Kosovës

Më 11 qershor, misioni i OSBE-së në Kosovë filloi me një varg panairesh të punësimit për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës në Pejë.

Panairet e punësimit mëtojnë të shërbejnë si urë lidhëse mes punëdhënësve të mundshëm dhe punëkërkuesve, si edhe t’u mundësojnë pjesëtarëve të komuniteteve në fjalë të krijojnë kontakte për eksplorim të karrierave të ndryshme.

Gjatë këtyre panaireve, vizitorët mësojnë rreth perspektivave për zhvillim të karrierës dhe mundësive për punësim, praktikë me pagesë, grante e aftësim profesional drejtpërdrejt nga organizatat dhe kompanitë që veprojnë në rajonin përkatës. Disa ndërveprime të tilla në këto panaire kanë dhënë tashmë rezultate.

“Unë studioj juridikun dhe sot në këtë panair punësimi arrita të gjej punë me orar të shkurtuar si recepsioniste në kompaninë Fresh. Njëherësh jam edhe boksiere profesioniste dhe sot mësova se mund të aplikoj për grant financiar tek Help – Hilfe zur Selbsthilfe për të siguruar pajisjet për boks që më nevojiten”, deklaroi Arlinda Muqa nga Peja.

Deri ne fund të muajit qershor planifikohen të mbahen edhe dy panaire tjera punësimi, njëri në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës, ndërsa tjetri në fshatin Plemetin të Komunës së Obiliqit. Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi për herë të parë panairin vjetor të punësimit për pjesëtarët e komuniteteve në vitin 2018 nëpër lokalitete të ndryshme, të cilat i vizituan rreth 330 persona.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni është i përkushtuar në luftimin e papunësisë në radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës dhe mbështetjen e përmirësimit të kushteve të tyre socioekonomike.