OSBE: Sulmi ndaj Ollurit përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes

OSBE: Sulmi ndaj Ollurit përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, dhe përfaqësuesi i kësaj organizate për Lirinë e Mediave, Harlem Desir, kanë dënuar sulmin ndaj drejtorit të Insajderit, Parim Olluri.

“Ky është sulm ndaj lirisë së shprehjes. Gazetarët duhet të jenë të lirë të japin qëndrimet e tyre pa pasur frikë nga dhuna apo lëndimet fizike,” ka thënë ambasadori Braathu.

Ai ka kërkuar nga autoritetet që sa më shpejtë të hetojë këtë rast dhe të sjellë kryesit e aktit para drejtësisë.

Në anën tjetër, Desir ka thënë se “çdo sulm ndaj gazetarëve është një kërcënim i papranueshëm ndaj lirisë së medieve dhe të drejtës së publikut për t’u informuar”.

Braathu dhe Desir kanë mirëpritur faktin se institucionet dhe lidershipi politik në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve, Zyra e BE-së në Kosovë, EULEX-i, dhe organizata të tjera kanë dënuar sulmin.

Olluri, i njohur për artikujt e tij hulumtues, është sulmuar të martën në mbrëmje derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë.