Ose maskat, ose ballafaqim me ligjin – thotë Hoti

Ose maskat, ose ballafaqim me ligjin – thotë Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ri-përsëritur se – siç po shihet – tjetër shpëtim nga virusi nuk ka përveç zbatim të masave, njofton Insajderi.

Të paktën deri tek një vaksinë eventuale, çfarë u mbetet qytetarëve të bëjnë është t’i respektojnë në përpikëri masat e Qeverisë së Kosovës.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti thotë se po s’u respektuan masat atëherë do të ketë ballafaqim me ligjin.

“Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, por jemi të obliguar që të ruajmë jetën e qytetarëve. Prandaj, policia dhe inspektorati do të zbatojnë ligjin ndaj atyre që nuk po i respektojnë masat”, shkruan Hoti.

Ai tregon se këto përfundime janë nxjerrur si çdo herë tjetër në konsultime të përbashkëta me “ministrin Zemaj, drejtorin e SHSKUK-së, Drejtorin e IKSHP-së dhe me ekspertë shëndetësorë”.

“Është vlerësim i përgjithshëm se momentalisht (në mungesë të vaksinës) i vetmi shpëtim është zbatimi rigoroz i masave: maska, distanca, higjiena dhe evitimi i grumbullimit në masë të qytetarëve”.

Nëse merret në total numri i rasteve pozitive është 8.554 nga 36.943 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 236 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit gjithashtu janë shëruar 152 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.730 raste.

Ndërsa, numri i rasteve aktive është 3.588./Insajderi.com