OSHP-ja kthen në rivlerësim tenderin e KEK-ut për furnizim me pompa për largim uji

OSHP-ja kthen në rivlerësim tenderin e KEK-ut për furnizim me pompa për largim uji

Gjykata e tenderëve ua ka tërhequr vërejtjen e fundit zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të cilët nuk janë duke i zbatuar rregullat e prokurimit gjatë shpalljes dhe përzgjedhjes së fituesve të tenderëve e në anën tjetër po i kërkojnë OSHP-së t’i miratojë “vendimet urgjente” të tyre që nuk janë në përputhje me LPP-në. Këto vërejtje OSHP-ja i ka dhënë në vendimin e tij kur ia kishte kthyer KEK-ut në rivlerësim tenderin për “Furnizim me pompa centrifugale horizontale për largimin e ujit”.

Njoftimi për kontrate në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit ishte bërë më 10.05.2017, ndërsa hapja e ofertave më 23.06.2017. Në garë kishin qenë 4 operatorë ekonomikë. Njoftimi për dhënie të kontratës nga Autoriteti Kontraktues, lidhur me këtë aktivitet të prokurimit ishte bërë më 17.08.2017, ku është rekomanduar për kontratë OE “NTP SNR”-Prishtinë.

Letra standarde për operatorin ekonomik të pasuksesshëm, nga Autoriteti Kontraktues është dërguar më 11.08.2017. Kundër këtij njoftimi kishte qenë operatori ekonomik “ND Sh.p.k.”-Prishtinë, i cili më 28.08.2017 ka bërë kërkesë për rishqyrtim tek Autoriteti Kontraktues. Ky i fundit e kishte refuzuar një gjë të tillë.