Osmani dhe Konjufca në Poklek: Kjo masakër nuk mund të quhet ndryshe përveç se gjenocid

Osmani dhe Konjufca në Poklek: Kjo masakër nuk mund të quhet ndryshe përveç se gjenocid

Presidentja, Vjosa Osmani dhe Kryekuvendari, Glauk Konjufca pas homazheve në Çikatovë të Vjetër, kanë vizituar edhe Kompleksin Memorial në Poklek ku deklaruan se kjo masakër nuk mund të quhet me emër tjetër përveç se gjenocid dhe theksuan se liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për të rënët në masakrën e bërë nga ushtria Serbe, njofton Insajderi.

Në 22 vjetorin e kësaj masakre, Osmani ka theksuar se në mesin e të vrarëve, është edhe Liria, vajza gjashtë-muajshe, e cila nuk e gëzoi lirinë.

“Lirie Muqolli kishte gjashtë muaj, kur u vra mizorisht dhe kur pastaj me së bashku 50 martirë të tjerë, jo vetëm që u vranë por u dogjën. Dhe jo që vetëm u dogjën, por u dogjën dy herë. Në mënyrë që as të mund të identifikohen”, ka cituar ajo.

Ajo shtoi se për mizorin ndaj fëmijëve kanë dëgjuar pasi që kanë lexuar për luftën e dytë Botërore dhe shtoi se kjo është dëshmia më e qartë e qëllimit që kishte regjimi gjenocidal serb, “sepse ky qëllim qartësohet kur ata treguan që e kanë për qëllim të shfarosin edhe më të vegjlit edhe më të pafajshmit”, tha Osmani.

“Duhet ta themi me zë të lartë, që liria nuk është e plotë. Nuk është e plotë për shkak të drejtësisë së munguar. Dhe liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për lirinë e vogël. Kur Serbia të kërkojë falje, kur të vendos lule dhe kur të pranojë fajin për të gjitha masakrat në Kosovë ndaj njerëzve të pafajshëm”, shtoi presidentja.

Ndërsa, Konjufca u shpreh se në shumë masakra ka varreza për secilin nga të rënët kurse, në Poklek të gjithë janë të vendosur në një varrezë.

“Për shkak se Serbisë nuk i ka mjaftuar që t’i vrajë shqiptarët dhe të asgjësojë ata, nuk është mjaftuar me kaq por edhe i ka djegur. E pikërisht për shkak të pamundësisë të identifikimit të tyre veç e veç, jemi detyruar si popull t’i varrosim shumicën prej martirëve në një vend të vetëm. Kjo është e pashembullt në botë… ky është gjaku i martirëve, i kombit mbi të cilët janë ngritur me siguri të madhe themelet e shtetit dhe Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Siç kanë deklaruar dhe të parët e vendit në Poklek janë masakruar fëmijë, të rinj, të reja, burra, e më pasë edhe u dogjën. Dhe pas dy dekadash, askush nga ushtria serbe nuk është dënuar. /Insajderi.com